Beteja Civile e Fituar e Kino Lumbardhit

Emisioni Jeta në Kosovë, këtë javë ka rikthyer në ekran çështjen e Kino Lumbardhit në Prizren, pas një vendimi të Agjencisë Kosovare të Privatizimit për ta larguar përkohësisht këtë objekt me rëndësi kulturore nga lista e vet e shitjes.

Jeta Xharra në këtë emision kishte ftuar përfaqësues të qeverisë, AKP-së dhe shoqërisë civile në Prizren të cilët nuk kishin lënë gur pa lëvizur deri në arritjen e synimit për ta parandaluar shitjen e objektit të kësaj kinemaje të cilën e vlerësojnë vitale për aktivitetet e tyre kulturore.

Hajrulla Çeku, nga organizata “Ec Ma Ndryshe” tha se është i kënaqur që me organizim të mirëfilltë dhe të përbashkët kanë arritur që t’i kenë çelësat e objektit.

Ai tha se së shpejti në atë hapësirë do ta kthejnë jetën kulturore dhe komunitetin aty brenda.

“Deri në këtë moment ka shku gjithçka ashtu siç e kemi planifiku. Çështja e kohës është gjithmonë relative ndoshta ka mujt me ndodh ma herët ose më vonë megjithatë po ndodh, po lëvizë. Dhe prej një situate ku para shtatë ose tetë muajve kur ka qenë edhe festivali ku ka qenë edhe paniku i përgjithshëm se e humbëm totalisht Kino Lumbardhin për disa muaj kemi mbërri në situatën ku jena sot”, tha ai.

Një debat për kinemanë Lumbardhi në Prizren, emisioni Jeta në Kosovë e kishte sjellë edhe në tetor të vitit të kaluar në të cilin palët pothuaj të njëjta paraqitën pikëpamjet e tyre për idenë e shitjes së objektit.

Por këtë të enjte, Nexhat Elshani nga  AKP në Prizren, tha se akoma statusi i Kino “Lumbardhit”, nuk është i definuar plotësisht.

“Për momentin faktikisht është një kërkesë e shoqërisë civile të Prizrenit të cilat kanë kërku afat kohor prej marsit deri në dhjetor ku e kanë bërë një përshkrim të bukur, të të gjitha aktiviteteve që kanë mu zhvillu brenda këtij viti për me ju dhanë në shfrytëzim hapësirën”, tha ai.

Elshani theksoi, se autoriteti i likuidimit dhe menaxhmenti i lartë i AKP-së e ka parë të arsyeshme që derisa të bëhet një zgjidhje definitive së paku deri në fund të vitit të gjitha ato aktivitete kulturore në Prizren të zhvillohen.

Eroll Bilibani, nga “Dokufesti”, tha se në vitin 2007 keni nënshkruar peticione dhe e kanë mobilizuar gjithë shoqërinë civile nga e gjithë Kosova për t’iu bashkuar iniciativës së tyre.

“Me këtë peticion i jemi drejtuar Ministrisë së Kulturës. E patëm ftuar edhe Odën e Veçantë të Gjykatës Supreme për me kuptu se a është kërkesa jonë legjitime. Edhe ata na thanë se Ministria duhet t’i respektoj disa rregulla ligje dhe Oda e Gjykatës duhet të involvohet në këtë proces me gjet zgjidhje afatgjate”, u shpreh ai.

Vjollca Aliu, nga  Ministria e Kulturës, tha se do të vazhdojnë edhe më tutje t’i koordinojnë veprimet sikurse deri më tani.

Ajo tha se në ministri për herë të parë është dërguar kërkesë në emër të 57 organizatave jo qeveritare.

“Ajo çka mu më ka shqetësu momentin kur kom diskutu me Hajrullahun (Çekun) dhe momentin kur e kom marr kërkesën e Hajrullahut në emër të 57 organizatave joqeveritare. Komisioni është përballë për herë të parë me një kërkesë të tillë… Nëse edhe kësaj kërkese i themi jo atë herë ku mbetet vlera të cilën e përcakton shoqëria”, u shpreh Aliu.

Ndërsa Çeku tha se deri sa është realizuar kërkesa e tyre pasur takime të vazhdueshme me institucionet, kanë bërë analizë ligjore dhe kanë qenë në debate në media.

Ndërsa, Elshani tha se po shihet që ka qasje serioze për Kino “Lumbardhin” dhe beson që nuk do të mbesin vetëm me hapin e parë të bërë po do ta përfundojnë edhe hapin final për tu mbaru gjitha procedurat.