Besa Gaxherri në Debat Pernime. Foto: Atdhe Mulla

Besa Gaxherri: Ndalimi i Qarkullimit Veprim i Papranueshëm

Në fjalën e saj në Kuvend Besa Gaxherri deputetja e LDK-së ndalimin e qarkullimit të makinave në Prishtinë e konsideroi të papranueshëm.

Gaxherri në fjalën e saj shtroi edhe shumë pyetje, të cilave tha se nuk po u jepet përgjigje.

“Kush është përgjegjës për ndotjen? Kush janë ndotësit kryesorë? Cilat janë masat që duhet ndërmarrë? Nga raportimet dje pamë që asnjë institucion nuk ka të dhëna për ndotësit më të mëdhenj”, tha Gaxherri.

Ajo përmendi edhe masat që duhet ndërmarrë.

“Të evitohet ngrohja nga materiet e rrezikshme duke bërë shtrirjen e rrjetit në afat prej dy vjetësh. Të shfrytëzohet avulli nga KEK-u që t’u ofrohet qytetarëve nxehje e shëndetshme”, tha Gaxherri.

Në seancën ku po debatohet për ndotjen alarmante të ajrit në Prishtinë të pranishëm janë 68 deputetë.

Seanca u iniciua nga kryetari i Kuvendit Kadri Veseli me mbështetjen e 40 deputetëve nënshkrues.