BERZH Nënshkruan Marrëveshje me Dy Banka Kosovare

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim është e interesuar për ta përkrahur më shumë sektorin privat në Kosovë.

Kështu tha sot presidenti i këtij institucioni financiar Suma Chakrabarti gjatë takimit me drejtues të institucioneve shtetërore të vendit.

Pas një takimi me ministrin e Financave, Avdullah Hotin, presidenti i BERZH-it tregoi për nënshkrimin e dy marrëveshjeve me dy banka që operojnë në Kosovë.

“Ne do të bëjmë më shumë për sektorin privat. Ne kemi nënshkruar dy marrëveshje me dy banka, me BPB-në dhe NLB Prishtinën. Këto marrëveshje i ndihmojnë bankat për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”, u shpreh presidenti i BERZH-it Chakrabarti, i cili theksoi faktin se institucioni që drejton ai në Kosovë ka investuar mbi 200 milionë euro.

Ndërsa ministri Hoti pasi falënderoi Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për financimin e shumë projekteve në Kosovë tha se e ka njoftuar presidentin Shakrabarti për projektet që mund t’i realizojnë bashkërisht, përfshirë edhe blerjen e autobusëve për trafikun urban të Prishtinës.

“Në sektorin publik kemi disa projekte në sektorin e rrugëve, disa projekte në sektorin e hekurudhave. Besoj tash po lëvizim shpejt edhe për projektin e trafikut urban dhe në kredinë për fondin kosovar për sigurim të depozitave si dhe diskutuam për involvimin në të ardhmen të BERZH-it në projekte të tjera”, tha gjatë konferencës ministri Hoti.

Presidenti i BERZH-it është takuar edhe me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, takim që ishte i mbyllur për mediat.