Takimi i Ministrit të FSK-së, Rrustem Berisha me asistentin e sekretarit të Mbrojtjes së SHBA-ve, Robert S. Karem- Foto: 21 Media

Berisha: Forcat e Armatosura do të Bëhen Përmes Ndryshimeve Kushtetuese

Sipas ministrit të Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, Forcat e Armatosura të Kosovës nuk paraqesin rrezik për askënd sepse është forcë e gjithë qytetarëve dhe do të kontribuon në rritjen e stabilitetit.

Ministri ka deklaruar se procesi i transformimit të FSK-së në FAK do të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese dhe në koordinim me partnerët strategjikë.

Ministri Berisha i bëri këto komente pas takimit që pati me asistentin e sekretarit të Mbrojtjes së ShBA-së, Robert S. Karem me bashkëpunëtorë.

Me këtë rast, ministri Berisha e falënderoi ShBA-në për ndihmën e gjithanshme për FSK-në si me angazhim të personelit po ashtu edhe për bashkëpunimin shumë intensiv dhe të gjithanshëm.

Sipas një komunikate të MFSK-së, Berisha ka shtuar se ky bashkëpunim kulmon sidomos me  bashkëpunimin që ka FSK me Gardën Kombëtare të Iowas.

Ministri Berisha foli edhe për standardin e lartë që ka FSK, përgatitjen profesionale si dhe angazhimet e shumta për të kryer me përkushtim detyrat në bazë të misionit aktual.

“Pas 19 vjet çlirim dhe 10 viteve të shpallje së pavarësisë, si dhe rekomandimeve të dala nga RSSSK, qytetarët dhe institucionet presin përfundimin e procesit të transformimit të FSK-së në FAK. Ky proces do të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese  dhe në koordinim me partnerët strategjik, proces i cili do të jetë shumë transparent. FAK nuk paraqet  rrezik  për askënd sepse është  forcë e gjithë qytetarëve dhe do të kontribuon në rritjen e stabilitetit  dhe sigurisë në rajon dhe më gjerë”, ka thënë ai.

Ministri foli edhe për objektivat  e ardhshme, për ngritjen e pjesëmarrjes së komuniteteve dhe rritjes së përfaqësimit gjinor; strategjinë e integrimit të komuniteteve joshumicë, planin e integritet si ministri, shkallën e integritetit  si dhe rritjen e transparencës dhe llogaridhënies.

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant, Rrahman Rama nga ana tij theksoi se FSK është forcë profesionale, me koncept perëndimor dhe e mbështetur në koncepte dhe doktrinën amerikane.

Ai theksoi përfaqësimin e mirë në përqindje të komuniteteve pakicë kryerjen me sukses të detyrave që dalin nga misioni aktual.

Ndërsa përgatitjet për transformim janë kryer në të gjitha drejtimet, janë bërë planifikimet e afatizuara  dhe  përgatitjet e duhura. /21Media