Berisha: Fatos Rizvanolli nuk Ka të Bëjë me Zeqirja Qazimin

Gati pesë muaj pasi ishte dënuar me 7 vjet burg nga Gjykata në Ferizaj për vepra që lidhen me terrorizëm, Fatos Rizvanolli u paraqit para Gjykatës së

Apelit duke  pretenduar se ndaj tij u bënë shumë shkelje procedurale.

Pasi dëgjuan referimin e rastit nga anëtari i Kolegjit të Apelit, Driton Muharremi, avokati Besnik Berisha paraqiti një varg shkeljesh për të cilat pretendon se iu bënë Rizvanollit.

Berisha tha se Gjykata në Ferizaj në aktgjykimin e saj ka thënë një të pavërtetë.

“E shihni që citohet në aktgjykim, thotë aktgjykimi i Zeqirja Qazimit dhe të tjerëve të cilët janë shpallë fajtorë për vepra penale të terrorizmit e të cilët janë në bashkëkryerje me Fatos Rizvanollin. Kjo me thanë shqip është rrenë, e me thanë ma butë nuk qëndron, sepse në aktgjykimin e Zeqirja Qazimit nuk përmendet emri i Fatos Rizvanollit askund”, tha Berisha.

Berisha tha më tej  se gjykata nuk po i trajtojnë si duhet rastet e terrorizmit.

“Siç duket është krijuar një komoditet në gjykatat, të paktën të shkallës së parë që kurdo që flitet për vepra penale të terrorizmit, nuk shtrydhen provat dhe faktet siç duhet e aq më pak nuk respektohen dispozitat e Kodit të Procedurës Penale e që në rastin konkret janë evidente”, tha avokati Berisha.

Berisha më tej në fjalën e tij tha se prokurori i rastit ka mbledhur prova pas përfundimit të afatit të hetimeve.

Në seancë ndonëse nuk mori pjesë asnjë prokuror, përmes ankesës prokuroria ka kërkuar rritjen e dënimit për Rizvanollin dhe refuzimin e ankesës së Berishës.

Berisha më tej në fjalën e tij tha se aktgjykimi i Gjykatës së Ferizajt është bazuar në deklaratën e Ilir Berishës, të cilën vetë trupi gjykues e kishte shpallur të papranueshme.

“Pa një pa dy e sheh në  aktgjykim atë deklaratë komplet. Gjykata mbetet pa argumente, pa prova dhe e merr një deklaratë dhe e interpreton në formën siç ja merr mendja dhe këtë të drejtë e ka por e ka të ndaluar ta administrojë si provë”, tha Berisha.

Në fund Berisha kërkoi nga Gjykata e Apelit që ta lirojë të mbrojturin e tij, apo së paku rastin ta kthej në rigjykim.

KALLXO.com e ka ndjekur vazhdimisht këtë proces gjyqësor.

http://kallxo.com/denim-fatos-rizvanollit-per-rekrutim-ne-terrorizem/

http://kallxo.com/rizvanolli-nuk-e-mbeshtes-isis-in/

http://kallxo.com/deshmitari-tregon-si-u-krijua-xhamia-te-termokosi/