Stanishiq dhe Simatoviq në sallën e gjyqit. Foto: MICT.

‘Beretat e Kuqe’ të Serbisë Akuzohen për Krime në Kroaci

Dëshmitari i mbrojtur i koduar me emrin RFJ-151 tha sot në Mekanizmin për Gjykatat Ndërkombëtare në Hagë se forcat policore të rregullta dhe rezerviste në rajonin e Baranjës të Kroacisë dhe një njësi e Sigurimit serb të Shtetit e njohur si “Beretat e Kuqe” kreu krime kundër joserbëve në fshatrat e rajonit të Baranjës të Kroacisë nga vera e vitit 1991 e në vazhdim.

“Këto ishin kryesisht dëbime, si edhe vrasje, por mbi të gjitha, plaçkitje prone. Veprat penale vazhduan deri në vitin 1995, edhe pse me intensitet të reduktuar, por ndër të tjera ndodhën edhe vrasje,” tha dëshmitari, dëshmia e të cilit nënkuptoi se ai ishte një anëtar i Shërbimit të Sigurimit të Shtetit në zonën e Baranjës në qytetin e Beli Manastirit.

Ai gjithashtu tha se u dogj edhe një kishë katolike në Beli Manastir.

Kur u pyet se nga e dinte që “Beretat e Kuqe” ishin një njësi operacionale e Sigurimit serb të Shtetit, SDB, dëshmitari tha se këtë ia tha “shefi i SDB-së në Beli Manastir”.

Ai po dëshmonte në gjyqin e Jovica Stanishiqit, ish-kreu i SDB-së serbe, dhe asistentit të tij Franko Simatoviq, i njohur ndryshe si Frenki.

Ata akuzohen për përndjekje, vrasje, dëbime dhe zhvendosje të dhunshme të civilëve kroatë dhe boshnjakë gjatë luftërave në Kroaci dhe Bosnje dhe Hercegovinë nga viti 1991 deri më 1995.

Sipas akuzave, ata ishin pjesë e një sipërmarrjeje të përbashkët kriminale të udhëhequr nga ish-presidenti serb Sllobodan Millosheviq, që synonte dëbimin me dhunë dhe të përhershëm të kroatëve dhe boshnjakëve nga pjesë të mëdha të Kroacisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës për të arritur dominim serb.

Aktakuza pretendon se “Beretat e Kuqe” ishin nën kontrollin e SDB-së serbe.

Stanishiq dhe Simatoviq deklaruan të dy se ishin të pafajshëm në dhjetor të vitit të kaluar pasi apeli në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë rrëzoi vendimin e mëparshëm për lirimin e tyre nga akuzat.

Gjykata e Apelit vendosi më 15 dhjetor se kishte gabime serioze ligjore dhe faktike kur Stanishiq dhe Simatoviq u liruan fillimisht nga akuzat për krime lufte në vitin 2013.

Ajo urdhëroi që çështja të rigjykohej dhe të gjitha provat dhe dëshmitarët të ridëgjoheshin plotësisht nga gjyqtarët e rinj.

Prokurori Adam Weber i paraqiti dëshmitarit një raport nga policia e Beli Manastirit, ku thuhej se “Goran Haxhiq dhe Zhelko Razhnatoviq, i njohur ndryshe si Arkani, erdhën në rajonin e policisë në fshatin Dalj në rajonin e Baranjës dhe morën më shumë se 25 të burgosur më 21 shtator 1991.”

Haxhiq, ish kryeministri dhe presidenti i shtetit të vetëshpallur të kohës së luftës Republika e Krajinës Serbe dhe shefi paraushtarak Razhnatoviq janë përmendur të dy si pjesëmarrës në sipërmarrjen e përbashkët kriminale. Që të dy kanë vdekur.

Dëshmitari RFJ-151 tha se “Beretat e Kuqe” u kthyen në Baranja në pranverën e vitit 1995 dhe “ushtruan një sundim terrori”.

“Ata keqtrajtuan popullsinë lokale,” tha dëshmitari, duke shtuar se njësitë e SDB-së kishin kontroll mbi zonën në atë kohë.

Gjyqi vazhdon të mërkurën.