Doboj. Foto: Wikimedia/Branko Todorovic.

'Beretat e Kuqe' Serbe Akuzohen për Krime Lufte në Bosnjë

Qendra për të Drejtën Humanitare, HLC, ka paraqitur një padi penale në Prokurorinë serbe të Krimeve të Luftës të mërkurën kundër një ish-anëtari të lartë të njësisë së Ministrisë së Brendshme të Serbisë “Beretat e Kuqe”, Radojica Bozhoviq, dhe dy anëtarëve të tjerë të njësisë për krime të dyshuara lufte të kryera në Doboj midis majit dhe gushtit 1992.

HLC pohoi se burrat ishin të përfshirë në dëbimin e boshnjakëve nga fshati Bukovaçka Civije, pranë Dobojit, në vrasjen e një anëtari të Gardës Kombëtare Kroate, plaçkitjen e civilëve dhe torturimin e të burgosurve civilë në burgun e qarkut të Dobojit.

“Deri më sot, asnjë anëtar i “Beretave të Kuqe” nuk është ndjekur penalisht në gjykatat vendore në Serbi për krime të kryera gjatë konflikteve në ish-Jugosllavi. Prandaj, HLC-ja i bën thirrje Prokurorisë Serbe të Krimeve të Luftës të hetojë pretendimet në padinë penale, të ndjekë penalisht ata që janë përgjegjës dhe t’u mundësojë viktimave të kenë të drejtën e të vërtetës pas 25 vjetësh”, tha HLC në një deklaratë.

OJQ-ja tha se një çështje kundër Dushan Vukoviqit, një ish-roje në burgun e Dobojit, i akuzuar për torturimin e të burgosurve, një prej të cilëve vdiq, vazhdon në Gjykatën e Lartë të Beogradit që nga marsi 2016.

“Në çështje nuk përfshihen persona të tjerë përgjegjës për krime të kryera në burgun e Dobojit dhe në vetë qytet”, tha HLC.

HLC tha gjithashtu se ndërsa Prokuroria Serbe e Krimeve të Luftës citoi në aktakuzën ndaj Vukoviqit se anëtarët e “Beretave të Kuqe” që kryen krime në burgun e Dobojit nuk janë identifikuar, Gjykata e Hagës, në çështjen kundër Jovica Stanishiqit dhe ndihmësit të tij Franko Simatoviq, përshkroi krimet e kryera në burg dhe përmendi autorët kryesorë të krimeve.

Prokurorët në gjyqin që vazhdon ende në Gjykatën e Hagës për rigjykimin e Stanishiqit dhe Simatoviqit pretendojnë se shërbimi i Sigurimit të Shtetit në Beograd ngriti, pajisi, stërviti, financoi dhe armatosi njësinë “Beretat e Kuqe”, e cila më pas kreu krime në qytete përfshijë Dobojin kur u dërgua të luftonte në luftërat në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Kroaci.

Prokuroria serbe e Krimeve të Luftës tani duhet të shohë paditë e HLC-së dhe të vendosë nëse ka ndonjë bazë për të hapur një hetim.

Radojica Bozhoviq tani punon si agjent për futbollistë dhe ka punuar me klubet më të mëdha serbe, Ylli i Kuq Beograd, Partizanin dhe Vojvodinën.

Ai më parë punoi si drejtor i klubit malazez të futbollit Zeta.