Ismet Beqiri - Foto: KALLXO.com

Beqiri: Nuk u Frikësohemi Zgjedhjeve

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, duke folur për mocionin për votëbesimin e Qeverisë, tha se kjo është një e drejtë e opozitës, por për këtë do të vendos Kuvendi.

Në një konferencë për media, Ismet Beqiri tha se askush nuk mund të mohojë rezultatet e Qeverisë së udhëhequr nga Isa Mustafa.

“Në rrethana të rënda, me pengesa të mëdha, brenda e jashtë Qeverisë dhe Kuvendit, Kosova ka realizuar zhvillimin më të madh ekonomik në rajon. Kjo mund të mos i pëlqejë opozitës apo dikujt tjetër, po ky është realiteti”, tha Beqiri.

I pyetur rreth deklaratës së bërë pak kohë më herët nga kreu i PDK-së dhe i Kuvendit të Kosovës njëkohësisht, Kadri Veseli, i cili tha se nuk është i kënaqur me gjendjen në Kosovë, Ismet Beqiri theksoi se në këtë Qeveri nuk është vetëm LDK-ja.

Ndërsa, lidhur me faktin se mocionin e kanë nënshkruar edhe deputetë të partnerit të koalicionit (PDK), Beqiri përkujtoi njërën pikë të marrëveshjes PDK-LDK, e cila thekson se asnjë deputet i koalicionit nuk do të përkrahë asnjë mocion që vjen nga opozita apo dikush tjetër.

KALLXO.com raportoi se me nënshkrimet për mocionin deputetë të PDK-së në fakt e kanë shkelur marrëveshjen e arritur mes partnerëve të koalicionit.

http://kallxo.com/pdk-e-shkel-marreveshjen-e-koalicionit-ldk-ne/