Ismet Beqiri në konferencën për gazetarë | Foto: KALLXO.com

Beqiri e Quan Qeverinë të Brishtë dhe të Lodhët

Sekretari i përgjithshëm i LDK-së Ismet Beqiri, e cilësoi sot të brishtë dhe të lodhët Qeverinë Haradinaj.

“Duhet të ketë zgjedhje këtë vit sepse kjo qeveri e brishtë, e lodhtë nuk mund të vazhdojë të qeverisë me vendin”,tha Beqiri në konferencën e  përjavshme të LDK-së.

Sipas Beqirit prioritet dhe angazhim kryesor i LDK-së, janë përgatitjet për zgjedhjet e reja nacionale sa më shpejt që të jetë e mundur sepse qeveria aktuale pasqyron një mori dështimesh në punën e saj.

Ai përsëriti edhe njëherë ofertën e LDK-së për partitë tjera që të ulen e të bisedojnë për caktimin e datës së zgjedhjeve.

“Kemi ba ofertë publike, mundësinë që të ulemi në bisedime pozitë dhe opozitë për caktimin e një date të mundshme të zgjedhjeve të reja “, tha Beqiri.

Ai sqaroi më tej se në një të ardhme të afërt do të veprojnë edhe me një ftesë zyrtare dhe hapi tjetër i LDK-së do jetë përgatitja e një mocioni mosbesimi ndaj kësaj qeverie.

Beqiri tha se në LDK sivjet nuk do të ketë zgjedhje të brendshme.

“Në LDK nuk ka kurrfarë zgjedhje partiake, të tjerët mund të kenë,  sepse është zgjidhje e tyre statutare, sepse ne vitin ardhshëm  e kemi vitin e rregullt zgjedhor që fillon nga 1 janari deri më 31 dhjetor 2019”, tha ai.