Beogradi Kritikon Arrestimit e të Rikthyerit Serb të Kosovës

Zyrtarë të Beogradit dënuan arrestimin e një refugjati serb që ishte rikthyer në Klinë, pasi ishte larguar që aty nga konflikti, duke e quajtur të motivuar politikisht arrestimin e tij nën dyshimet për krime lufte.

Sekretari i përgjithshëm i presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq tha të mërkurën se arrestimi i Milorad Zajiq, një refugjat serb i kthyer në Kosovë, me akuza për krime lufte, ishte një “provokim” që synonte të ndërpresë zbatimin e marrëveshjes së Brukselit për të normalizuar marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës.

“Kjo nuk është hera e parë që, kur dialogu është gati të vazhdojë, ndodh diçka që duket se na provokon dhe na distancon nga objektivi kryesor i negociatave,” tha sekretari i përgjithshëm i Vuçiqit, Nikola Selakoviq, raportoi gazeta Politika.

Selakoviq po i referohej takimit të planifikuar për të premten midis Vuçiqit dhe presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, i cili ka për qëllim të rifillojë procesin e negociatave të ngecura.

I kthyeri serb Zajiq u arrestua të hënën, kur shkoi në rajonin e policisë në Klinë ku ishte ftuar të jepte një deklaratë për një vjedhje në shtëpinë e tij.

Pasi mbërriti atje, policia e arrestoi atë nën dyshimin për kryerjen e krimeve të luftës në zonën e Klinës dhe e transferoi atë në Prishtinë. Ai u lirua më vonë nga paraburgimi.

Zyra e qeverisë serbe për Kosovën tha se arrestimi ishte pjesë e një “politike dhune dhe kanosjeje” që synonte dekurajimin e refugjatëve serbë të Kosovës për t’u rikthyer.

“Arrestimi i fundit në Klinë, i bërë me mashtrim, nis alarmin dhe bën thirrje për një reagim urgjent nga ata që zyrtarisht deklarojnë se duan të krijojnë një lloj shoqërie demokratike në Kosovë,” tha zyra në një njoftim për shtyp.

Ashtu si zyrtarë të tjerë serbë dhe mediat, asistenti i zyrës Petar Petkoviq e lidhi arrestimin me dialogun në Bruksel, duke thënë se politikanët e Kosovës po përdorin gjyqësorin për të ndaluar negociatat.

“Sa herë që negociatat të mbahen në Bruksel, sidomos në lidhje me themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe, arrestohet një serb,” tha Petkoviq për agjencinë e lajmeve Tanjug.

Asociacioni i Komunave Serbe është një shoqatë e propozuar vetëqeverisëse e komunave me shumicë popullsie serbe në Kosovë, që synon të përfaqësojë interesat e serbëve në vend.