Flamuj të BE-së në Komisionin Europian. Foto: Sébastien Bertrand/Wikimedia

BE Bën Thirrje për Qetësi pas Incidentit Diplomatik Serbi- Maqedoni

Një zëdhënës i Komisionit Europian i tha BIRN-it përmes një deklarate të martën se incidenti diplomatik në Shkup është “një çështje bilaterale mes dy vendeve, e cila po ndiqet ngushtësisht nga Bashkimi Europian”.

“Ne kërkojmë nga të dyja palët që të përmbahen dhe ta zgjidhin çështjen me qetësi, në frymën e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë,” deklaroi Komisioni i BE.

Raportuesi i Parlamentit Europian për Serbinë, David McAllister lëshoi një deklaratë të ngjashme përpara vizitës së tij të pashmangshme në Serbi.

Të dielën, Serbia tërhoqi në mënyrë të papritur të gjithë stafin e vet diplomatik nga Shkupi i Maqedonisë.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq thanë të hënën se e tërhoqën stafin diplomatik nga Maqedonia, pasi u informuan rreth “veprimeve ofensive” të planifikuara kundër Serbisë.

Vuçiq deklaroi të hënën se stafi i ambasadës serbe u tërhoq nga Maqedonia, pasi Beogradi mori “prova mbi veprime fyese të shërbimeve inteligjente kundër institucioneve të Serbisë”.

Ministri i Jashtëm, Daçiq dha një deklaratë të ngjashme për agjencinë e lajmeve Tanjug, duke cituar gjithashtu “veprime kundër Republikës së Serbisë”.

Të dy – Vuçiq dhe Daçiq thanë gjithashtu se “fuqitë e huaja” ishin të përfshira, por refuzuan të jepnin më shumë detaje.

Megjithatë, ish-ambasadori i Bashkimit Europian në Maqedoni, Erwan Fouere tha për BIRN se tërheqja e diplomatëve ishte një zhvillim shqetësues.

“Nëse atje ekzistojnë opinione të ndryshme mes fqinjësh, tërheqja e të gjithë stafit diplomatik-siç bëri Serbia në rastin e Maqedonisë nuk është mënyra e duhur për t’i zgjidhur dallimet. Krejt e kundërta,” tha ai të martën.

Fouere shtoi se qeveria e re e Maqedonisë, e drejtuar nga Zoran Zaev doli nga rruga e vet për të ndërtuar marrëdhënie të ngushta dhe të respektueshme me Serbinë, përmes dialogut të matur.

“Presidenti Vuçiq duhet t’i tregojë në mënyrë reciproke shpirtin e shtetarit në vend që të përpiqet të sillet si i forti i ri i Ballkanit,” theksoi ai.

Ndërkohë, Vuçiq u takua të martën me ambasadorët e Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe, por njoftimet e shtypit serb nuk japin asnjë të dhënë nëse u diskutua për incidentin diplomatik.

http://kallxo.com/mediat-serbe-maqedonia-i-shpalli-lufte-serbise/