Kryeprokurori i Prishtinës, Imer Beka - Foto: KALLXO.com

Beka: Hetimet Kanë Avancuar për Sulmin ndaj Zogajt

Kryeprokurori i Prishtinës Imer Beka tha për RTV 21 se hetimet kanë avancuar në lidhje me sulmin ndaj drejtorit të burgjeve Sokol Zogaj.

“Posaçërisht jena marrë me rastin e drejtorit të burgjeve me të cilin rast kemi ba shumë veprime hetimore dhe kemi qenë jashtëzakonisht efikas. Rasti është tu zhvillu, veç e kemi identifiku situatën dhe besoj se së shpejti dhe do të ketë edhe veprime tjera që e plotësojnë këtë rast”, tha Beka.

Drejtori i burgjeve Sokol Zogaj u sulmua fizikisht në mëngjesin e 16 gushtit para banesës së tij në Prishtinë.

Në mbrëmjen e së njëjtës ditë sulm fizik përjetoi edhe drejtori i Insajderit dhe gazetari Parim Olluri.

Më herët në maj kur kaloi në PDK u sulmua edhe ish-kryeredaktorja e Zerit Arbana Xharra,ndërsa para pesë ditësh u rrah edhe Vitore Stavileci, gruaja e ministrit në detyrë të Zhvillimit Ekonomik Blerand Stavileci.

Sipas RTV 21 për të gjitha këto sulme ende nuk ka ndonjë të arrestuar.

Arton Demhasaj, drejtori i Organizatës “Çohu” thotë se këto sulme duhet të ndriçohen për të mos u përsëritur.

“Nëse policia dhe prokuroria nuk janë efektive në këtë aspekt, atëherë mundet me ra që është nxitje edhe për veprime të tilla në të ardhmen që munden me ardhë duke u shpeshtu dhe munden me qenë shumë ma shumë raste”, deklaroi Zogaj.