Bëhet Thirrje që Identifikimi i Mbetjeve Mortore të Trajtohet me Prioritet

Këshilltari i Kryeministrit i emëruar edhe Mbajtësi i Dosjes për çështjen e personave të zhdukur, Jahja Lluka,  shprehu përkrahjen e vazhdueshme të Kryeministrit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, për të gjitha institucionet kompetente të angazhuara në procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur, në përpjekjen e përbashkët që familjet dhe familjarët e personave të zhdukur të mësojnë sa më parë për fatin dhe vendndodhjen e familjarëve të tyre të zhdukur si pasojë e luftës në Kosovë.

Ai gjatë ditës së djeshme ka realizuar një vizitë zyrtare në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për t’u njoftuar mbi punën dhe angazhimin e këtij Instituti, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës.

Gjatë vizitës dhe takimeve të realizuara është diskutuar në veçanti mbi angazhimin e ekspertëve mjekoligjor të Republikës së Kosovës dhe ekspertëve të EULEX-it, në procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur.

Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu dhe antropologia mjekoligjore e EULEX-it, Tarja Formisto, në hollësi kanë prezantuar punën e deritanishme të ekspertëve mjekoligjor, duke vënë theksin në procesin e inventarizimit të mbetjeve mortore të paidentifikuara, që vazhdojnë të jenë nën kujdesin e Institutit të Mjekësisë Ligjore, si dhe në rastet e proceduara në terren si rezultat i të gjeturave gjatë procesit të inventarizimit.

Gjatë takimit u diskutua edhe mbi sfidat me të cilat përballet në përgjithësi procesi i ndriçimit të fatit të personave të zhdukur, e në veçanti procesi i trajtimit profesional të mbetjeve mortore të paidentifikuara, e që para se gjithash ndërlidhet me mungesën e informacioneve të besueshme, mungesën e mostrave të gjakut për një numër të rasteve dhe keq-identifikimet e mundshme.

Në adresim të këtyre sfidave, Jahja Lluka, ka kërkuar nga ekspertët e EULEX-it dhe nga bashkësia ndërkombëtare që përmes mekanizmave kompetent institucional të shtohet trysnia ndaj institucioneve të Serbisë që të jenë më bashkëpunuese në procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur.

Po ashtu , është kërkuar nga IML që të përgatitet lista e familjarëve të personave të zhdukur, që janë duke refuzuar dhënien e mostrave të gjakut, duke vështirësuar kështu mundësitë e identifikimit te të afërmeve të tyre të zhdukur gjatë luftës së viteve 1998 – ’99 në Kosovë.

Po ashtu edhe dërgimin e propozimeve të ekspertëve mjekoligjor, sipas afateve të caktuara gjatë takimit të përbashkët konsultativ të mbajtur gjatë javës së kaluar, në mënyrë të veçantë propozimet mbi mundësinë e identifikimit të mbetjeve mortore çështje kjo që do të vazhdojë të trajtohet me prioritet të veçantë në kuadër të procesit të ndriçimit të fatit të personave të zhdukur.