Bega: Presim Reagim Urgjent, Ndryshe Jemi në Kaos

Emisioni i sontëm radhës i  “Drejtësia në Kosovë”, transmetoi pjesën e dytë të hulumtimit që zbuloi skandalin më të madh të drejtësisë në 16 vitet e fundit.

Hulumtimi i “Drejtësia në Kosovë”, tregoi se si institucionet e drejtësisë nuk e kishin vërejtur Nenin 29 të Kushtetutës së vendit, i cili parasheh që dënimi me burg të shqiptohet vetëm për veprat penale dhe jo për vepra të kundërvajtjeve, ashtu siç kanë vepruar për 8 vite gjykatësit për kundërvajtje.

Siç transmetoi “Drejtësia në Kosovë”, ishte Gjykata e Apelit ajo që kishte reaguar e para, vetëm 48 orë pas transmetimit të emisionit të kaluar.

Kryesuesi i Divizionit për kundërvajtje në gjykatën e shkallës së dytë, Dalip Bega, thotë se pas asaj që ka zbuluar ekipi i “Drejtësia në Kosovë”, e ka parë të udhës që t`i njoftojë gjykatat themelore që të pezullojnë ekzekutimin e dënimeve me burgim.

Ai ka deklaruar se njoftimi i tij nuk është obligativ, dhe se gjykatësit mund të veprojnë sipas ligjit antikushtetues që e kanë në fuqi ende dhe kjo situatë sipas tij mund të vazhdojë derisa Gjykata Supreme nuk e sjell një vendim të prerë lidhur me skandalin që është krijuar.

Letrën e gjyqtarit Bega e cila i këshillon të gjitha gjykatat themelore që të mos shqiptojnë dënime me burgim dhe t`i ndërpresin ekzekutimet me burgim për vepra të kundërvajtjeve e kanë pranuar të gjitha gjykatat themelore.

Mirëpo, asnjëri nga shtatë kryetarët e këtyre gjykatave, siç transmetoi “Drejtësia në Kosovë”, nuk kanë pranuar të flasin para kamerave për shkeljen masive të të drejtave kushtetuese të rreth 8 mijë qytetarëve që i quan në burg për kundërvajtje.

“Drejtësia në Kosovë” transmetoi javën e kaluar hulumtimin që tregoi se si gjyqësori i Kosovës i cili shqipton dhjetëra dënime me kusht për korrupsion, nuk e ka pasur fare problem që t`i dërgoj në burg  tetë mijë njerëz të cilët nuk kanë pasur para, ose nuk janë pajtuar t`i paguajnë dënimet me gjobë të cilat varijojnë nga 15 deri në disa qindra euro.

Poashtu kreu i gjykatës supreme Fejzullah Hasani dhe avokati i Popullit Hilmi Jashari në emisionin e kaluar që zbuloi mega-skandalin e drejtësisë e kanë pranuar se dënimet me burgim për vepra të kundërvajtjeve janë në kundërshtim me Kushtetutën.

Emisionin e plotë mund ta shihni në linkun e mëposhtëm: