Konferenca për 'Etikën, transparencën dhe integritetin në arsimin e lartë'

BE shtyn Kosovën për ta përmirësuar arsimin e lartë

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Këshilli i Evropës kanë organizuar një konferencë mbi “Etikën, transparencën dhe integritetin në arsimin e lartë – zgjidhjet e brendshme për sfidat globale”.

Në fjalën e tij në këtë konferencë, Riccardo Serri nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë tha se Kosova ka nevojë për arsim cilësor pasi që shumica e popullatës është e përbërë nga të rinjtë nën moshën 25 vjeçare.

Sipas tij një popullatë e tillë ka nevojë për edukim dhe arsim të lartë më cilësor.

“Arsimi ka qenë dhe është prioritet për Bashkimin Europian dhe shpresoj që ju do ta kuptoni këtë dhe përgjatë javëve, muajve dhe viteve të ardhshme të bëhet prioritet arsimi, si pjesë e agjendës europiane. Ne e kemi ndarë me Qeverinë e Kosovës se është pjesë e planifikimt tonë financiar sepse arsimi është i rëndësishëm per ne sepse nevoja për arsim të lartë gjithnjë është në rritje”, tha Serri.

Përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Riccardo Serri më tej tha se të dhënat e publikuara mbi arsimin e lartë për Kosovën në raportin e fundit janë pasqyra më e mirë mbi gjendjen në Kosovë dhe ndryshimet që duhet të bëhen.

Zv.ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë, Arbër Geci, gjatë fjalës së tij tha se ministria të cilën e përfaqëson është e përkushtuar për të trajtuar me seriozitet temën për etikën, transparencën dhe integritetin në arsimin e lartë.

“Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë mbetet e fokusuar që të kontribuoj në këtë temë dhe si rezultat ne kemi adresuar këtë çështje duke e vendosur dhe duke e bërë pjesë në arsimin e lartë kodin e sjelljes si normë e veçantë”, tha Geci.

Geci më tej tha se duhet të kontribuohet në arsimin e lartë dhe se ky projekt “na ndihmon dhe na bën të vetëdijshëm edhe për keqpërdorimet që bëhen në arsimin e lartë”.

“Duhet të fokusohemi për të kuptuar që kemi nevojë për të ndryshuar dhe investuar në këtë sistem që beson edhe te profesorët edhe te studentët”, shtoi Geci.

Ky aktivitet është organizuar në kuadrin e projektit “Forcimi i integritetit dhe luftimi i korrupsionit në arsimin e lartë” nën programi i përbashkët i Bashkimit Europian/Këshilli i Europës “Struktura horizontale për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë”.