BE Pa Drejtues

Mospajtimet e brendshme në BE rreth mandatit të kreut të ri të BE’së në Prishtinë dhe emrit që duhet shtyrë përpara e kanë detyruar Përfaqësuesen e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, t’ia vazhdojë mandatin të dërguarit të tij aktual, Gentilini.

Brukseli ia ka vazhduar mandatin edhe për katër muaj të tjerë Ferando Gentilinit si Përfaqësues i Posaçëm i BE’së për Kosovën në të cilin ai ishte emëruar për një qëndrim të përkohshëm tremujor në muajin maj, që ishte vazhduar edhe për dy të tjerë në muajin gusht. Dështimi vjen si pasojë e pamundësisë së shteteve anëtare për t’u pajtuar për emrin, por edhe mandatin e EUSR’së në Kosovë, kanë treguar të enjten burime të sigurta të Gazetës Jeta në Kosovë.

“Mandati i EUSR’së së përkohshëm Fernando Gentilini është në proces të vazhdimit edhe për një periudhë shtesë kohore”, ka thënë Zyra e Gentilinit, të premten për Gazeta JnK.

Zhvillimi vjen në një kohë kur Bashkimi Europian gjendet në qendër të kritikave për mosangazhim të duhur karshi Kosovës, e cila mbetet vendi i vetëm nga i cili banorët nuk mund të udhëtojnë pa viza në shtetet e BE’së dhe pa marrëdhënie kontraktuale me bllokun. Kritikat u shtuan sidomos pas shpërthimeve të dhunshme në veri.

Përfaqësuesit e Posaçëm caktohen në vende konlfiktuoze ose me probleme për të përfaqësuar politikën dhe interesat e përbashkëta europiane. Më së shumti, BE ka pasur 12 sosh në të njëjtën kohë.

Më herët në pranverë, Përfaqësuesja e Lartë Catherine Ashton kishte vendosur të ndajë dy postet që ushtroheshin nga Pieter Feith prej shkurtit 2008 – atë të Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar dhe EUSR’së. Nisma kishte për qëllim të rrisë funksionalitetin e BE’së në vend duke koordinuar të gjithë praninë e saj nën përfaqësuesin e ri.

Ashton ishte kritikuar vazhdimisht se nisma e saj rrezikonte të dërgonte mesazhe të gabuara nga ministrat europianë të shteteve njohëse të Kosovës. Në një dokument të Komitetit për Shqyrtime Europiane të Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, i lëshuar pas datës 7 shtator, të cilin e ka parë Gazeta Jeta në Kosovë, Ministri britanik për Europën David Lidington është cituar të këtë ndarë opinionin se brenga vazhdon dhe se pajtimi për mandatin ende nuk është arritur ndonëse është më i afërt.

“Se BE nuk ka qenë në gjendje të pajtohet për mandatin që nga gusht 2010, nuk dërgon mesazhin e mirë për mbështetjen e BE’së për perspektivën Europiane të Kosovës”, ka thënë Lidington. “Sidoqoftë, nëse nuk do të kishte fare EUSR do të ishte një sinjal edhe më i keq për marrëdhëniet BE-Kosovë”.
Ai raporton se kishte dërguar përmirësime te Këshilli i BE’së për draftin e mandatit të përhershëm të EUSR’së në Kosovë. Ndryshime përfshijnë fuqizimin e prezencës së BE’së në Kosovë, mbështetjen e progresit të vendit drejt BE’së në linjë me perspektivën europiane të rajonit, pastaj monitorimi, asistimi dhe lehtësimi i progresit politik, ekonomik dhe prioriteteve europiane. Po ashtu, përmendet ndihma në zbatimin dialogut që lehtësohet nga BE mes Beogradit dhe Prishtinës ndërkaq fshihet kërkesa që EUSR të ‘luajë rol udhëheqës në një marrëveshje që do të definonte statusin e ardhshëm të Kosovës’.

“Ministri gjithashtu ka përsëritur shqetësimin e tij rreth përfshirjes së referencave për Kosovën si ‘nën Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit’, që ai e sheh si prejudikuese për pozicionin e njohjes të marrë nga 22 shtete anëtare, sikurse edhe rishikimin e EEAs dhe Presidencës për këto referenca”, thuhet në dokument. Me insistimin e Lidington, një fjali është shtuar në draft e cila thotë se referencat për Kosovën nuk prejudikojnë qëndrimin e shteteve anëtare për statusin e Kosovës.

Ministri shprehë mbështetje për Përfaqësuesin Civil Ndërkombëtar, Pieter Feith. “Fokusi i tij i vetëm mbetët zbatimi i plotë i Propozimit Gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Për të bërë këtë, Feith do të duhet të koordinohet ngushtë me EUSR dhe me EULEX’in, jo vetëm në kontekst të dialogut të lehtësuar (‘dialogut’) mes Kosovës dhe Serbisë”.

Ministri ka mbështetur vazhdimin e dialogut dhe ka kërkuar kosntruktivitet e fleksibilitet në drejtim të arritjes së marrëveshjeve tjera. “Dialogu vazhdon”, ka thënë Ministrit. “Progresi ka qenë i ngadalshëm”.

Autoritetet në Kosovë thonë se do të ishte mirë që BE të fliste me një zë dhe të ishte unike. Shefja e ekipit negociator kosovar në bisedimet teknike të ndërmjetësuara nga BE, Edita Tahiri, gjatë kësaj jave kërkoi në mënyrë eksplicite nga blloku që të shpërblejë Prishtinën në qëllimet e saj integruese pasi ajo po tregohet konstruktive në dialogun  me Serbinë.

Ulrike Lunacek, zëdhënëse për Marrëdhënie të Jashtme për Grupin Partia e Gjelbër/EFA në Parlamentin Europian si dhe Raportuese e PE’së për Kosovën, ka thënë këtë javë në një opinion të botuar në Gazeta JnK se përshtypja e përgjithshme në Kosovë drejt BE’së është duke u zbehur.

“Jo për shkak se është tërësisht faji i BE’së, por për shkak se shpresat dhe pritjet në BE dhe akterët e saj, si dhe retorika e tyre, kanë qenë aq të larta – dhe BE-ja padyshim se nuk i ka përmbushur këto pritje, madje as ato të bazuara në premtimet tona”, ka thënë deputetja austriake.