BE-ja Duhet të Hapet ndaj Shteteve të Ballkanit Perëndimor

Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, deklaroi se Bashkimi Europian duhet të hapet për pranimin e shteteve të reja anëtare nga Ballkani Perëndimor, me qëllim që të shmangë rrezikun nga një luftë e re në rajon.

Në fjalimin mbajtur në Parlamentin e Europës, Juncker qartësoi se nëse unioni nuk hapet dhe nuk ofron perspektivë evropiane ndaj këtyre shteteve, në rajonin siç e quajti tejet të komplikuar dhe tragjik, Europa do të përjetojë rikthimin e luftës në rajon, siç ishte rasti në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar, shkruan rtv21.tv.

“Nuk dëshirojmë të shohim rikthimin e luftës në Ballkan dhe për këtë arsye duhet të hapemi për shtetet e rajonit”, nënvizoi Juncker.

Edhe shefja e diplomacisë europiane, Federica Mogherini, vlerësoi se është në interes të shteteve anëtare të unionit që të forcojnë bashkëpunimin me shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Ajo theksoi se shefat e diplomacive të shteteve anëtare të unionit kanë zhvilluar një debat gjithëpërfshirës për marrëdhëniet me shtetet e Ballkanit, në takimin që zhvilluan të hënën në Luksemburg.

“Kemi përsëritur angazhimin e qartë dhe përkrahjen për të gjithë rajonin, për gjashtë partnerët tonë dhe perspektivën e zgjerimit”, tha Mogherini.

Mogherini paralajmëroi se sonte në mbrëmje do të fillojë turneun zyrtar në Ballkan, gjatë së cilit do të vizitojë Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë./21Media