BE dhe Ballkani Perëndimor me deklaratë të përbashkët në Samitin e Sofjes

Përmes një deklarate të përbashkët, Bashkimi Europian dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë konfirmuar në Samitin e Sofjes përkushtimin dhe vendosmërinë për të ardhmen evropiane të rajonit.

Pas strategjisë së zgjerimit të BE-së për Ballkanin të publikuar sivjet, deklarata e Sofjes ka nxjerrë si përfundim edhe përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit dhe rritjen e stabilitetit në rajon, si parakusht për integrimin e kësaj pjese të Europës në kuadër të Bashkimit Europian.

Në deklaratë, veç tjerash thuhet se “BE-ja mbështet angazhimin e partnerëve të Ballkanit Perëndimor për të përforcuar më tutje marrëdhëniet fqinjësore të mira, qëndrueshmërinë rajonale dhe bashkëpunimin e ndërsjellë”.

Në njërën nga 17 pikat e kësaj deklarate, theksohet po ashtu se shtimi i angazhimeve “në forcimin e rendit dhe ligjit, në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, në respektimin e të drejtave të minoritarëve dhe të njëri-tjetrit, në ndërtimin e urave të bashkëpunimit”. Përkushtimi i shteteve të Ballkanit Perëndimor, theksohet në deklaratë, është edhe dhe kërkesë e Bashkimit Europian.

Kurse në pikën e 11-të, është kërkuar bashkëpunim i shtuar kundër terrorizmit dhe ekstremizmit.

Në Samitin e BE-së për Ballkanin që po mbahet në Sofje të Bullgarisë po marrin pjesë liderët nga 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia. Nikoqir i takimit, është kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov, i cili aktualisht mban edhe Presidencën e Këshillit.

Kurse nga Bashkimi Europian po marrin pjesë Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, kryesues i takimit, pastaj presidenti i Parlamentit Evropian, Antonio Tajani, Përfaqësuesja e Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini dhe komisioneri për Politikat e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn.

Pjesë e këtij Samiti është edhe Kosova, që po përfaqësohet nga presidenti Hashim Thaçi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes disa postimeve në rrjete sociale ka konfirmuar se ne margjina të këtij samiti ka zhvilluar takime me komisionarin e BE-së për zgjerim, Johannes Hahn, presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe personalitete të shumta, qoftë nga Bashkimi Europian apo shtetet e Ballkanit.

Ndërkaq, në fjalimin e tij në Samit, presidenti Thaçi kërkoi nga liderët europianë trajtim të barabartë për Kosovën dhe liberalizim të vizave.

Thaçi foli në hapjen e punimeve të Seancës Plenare të Samitit, ku u trajtua tema “Fuqizimi i të gjithë dimensioneve të ndërlidhjes (socio-ekonomike, fizike, digjitale dhe njerëzore)”.

“Ky samit midis Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor është një sukses i jashtëzakonshëm i përbashkët, por në veçanti i nikoqirëve tanë, presidencës bullgare. Suksesi i këtij samiti bazohet në ruajtjen e angazhimit me shtetet e Ballkanit Perëndimor përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe të barabartë, si dhe mbështetet në parimin e rëndësishëm sipas të cilit i gjithë Ballkani Perëndimor gëzon një perspektivë evropiane”, tha presidenti Thaçi.

“Kam kënaqësinë që gjithashtu personalisht të konfirmoj mbështetjen e Kosovës për përmbajtjen e deklaratës së këtij samiti dhe të agjendës prioritare të Sofjes. Ne i mbështesim plotësisht parimet kyçe të bashkëpunimit të forcuar, marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe nevojës për zgjidhje të qëndrueshme dhe të detyrueshme të mosmarrëveshjeve dypalëshe”, theksoi Thaçi.

Para liderëve evropianë e ballkanikë, presidenti Thaçi ka thënë se Kosova është dhe do të mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj këtyre qëllimeve, duke përfshirë dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Kosova është e gatshme të hyjë në fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht detyruese për normalizimin e marrëdhënieve dhe pajtimin. Më lejoni të theksoj nevojën për rregulla të barabarta të lojës tani që po lëvizim drejt zbatimit të mëtejshëm të temave që po diskutojmë në këtë samit, dhe në rastin e Kosovës kjo përfshin një përmbyllje të shpejtë të procesit të liberalizimit të vizave për të cilin Kosova ka përmbushur të gjitha 95 kriteret e kërkuara”, tha ai.

Presidenti Thaçi ka shtuar se nëse vërtet duam një ndikim të qëndrueshëm në afrimin e rajonit, kjo duhet të nënkuptojë edhe heqjen e barrierave të ndryshme të pranishme aktualisht.

Kjo përfshin, por nuk kufizohet, sipas presidentit Thaçi, në njohjen e kualifikimeve, certifikatave dhe dokumenteve të tjera, uljen e kohës së pritjes në kufi, ndërveprimin në fushën e energjisë, sigurimin e lirisë së lëvizjes për njerëzit brenda rajonit duke hequr vizat, por edhe jetësimin e zotimeve të tjera që kemi dhënë më parë si rajon.