Kumanova pas shkëmbimit të zjarrit. Foto nga: AP / Visar Kryeziu

BDI Kërkon të Vërtetën e Plotë për Rastin Kumanova

Bashkimi Demokratik për Integrim reagoi sot pas dënimeve të shqiptuara në Rastin Kumanova.

“Bashkimi Demokratik për Integrim mbetet në qëndrimin e vet për përfshirje të ekspertëve ndërkombëtarë në një hetim gjithëpërfshirës për zbardhjen e të gjitha paqartësive të ndërlidhura me rastin e Kumanovës”, thuhet në komunikatën e BDI-së.

BDI-ja që ishte në pushtet në kohën kur ndodhi përleshja e armatosur në Kumanovë, kërkoi në reagim të vërtetën e plotë për rastin ku u vranë tetë policë dhe 10 pjesëtarë ë një grupi të armatosur gjatë shkëmbimit të zjarrit.

“Procesi i gjykimit dhe dëshmitë e protagonistëve nxorën në sipërfaqe dilemat rreth organizatorëve dhe motiveve të këtij rasti të rëndë, prandaj qytetarët kanë nevojë ta kuptojnë të vërtetën e plotë”, vijoi reagimi i BDI-së.

BDI-ja më tutje përmendi edhe “përfshirjen e dyshuar edhe të përfaqësuesve zyrtarë të institucioneve më të larta të shtetit në komunikim me protagonistët e ngjarjes”.

BDI-ja kërkon edhe bashkëpunimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë “me autoritetit e Kosovës dhe Shqipërisë në shkëmbimin e informacioneve drejt zbardhjes së tërësishme”.

KALLXO.com shkroi sot për dënimet e të akuzuarve në Rastin Kumanova.