Përmbytje në autostradën Tiranë-Durrës | Foto nga : LSA

BB: Shqipëria e Rrezikuar nga Përmbytjet dhe Tërmetet

Raporti i titulluar “Profilet e riskut nga tërmetet dhe përmbytjet në Evropë dhe Azi Qendrore” dhe i publikuar më 23 janar, vlerëson se popullsia dhe ekonomia e Shqipërisë janë të ekspozuara ndaj tërmeteve dhe përmbytjeve, ndërkohë që tërmetet kanë një risk më të madh për ndikim të lartë edhe pse kanë mundësi më të ulët të ndodhin.

Sipas Bankës Botërore, Shkodra është qarku i Shqipërisë që rrezikohet më shumë nga përmbytjet, ndërkohë që qarku më i prekur nga tërmetet është Fieri.

Gjatë 100 viteve të fundit, përmbytja me më shumë viktima në Shqipëri ka ndodhur në vitin 1992, kur 11 njerëz humbën jetën dhe u shkaktuan 12 milionë dollarë amerikanë (USD) dëme. Përmbytjet në vitin 2002 shkaktuan 1 viktimë por dyfishin e dëmeve të 10 viteve më parë, ose 23 milionë USD. Përmbytje me dëme të mëdha u regjistruan edhe gjatë vitit 2010 në rrjedhën e lumit Drin.

Sipas Bankës Botërore, mesatarja vjetore e popullsisë shqiptare të prekur nga përmbytjet është rreth 50,000, ndërsa mesatarja e GDP-së së prekur është rreth 200 milionë USD.

Tërmeti me vdekshmëri më të lartë në Shqipëri gjatë 100 viteve të fundit është regjistruar në Tepelenë në vitin 1920. Tërmeti ishte 6 ballë në shkallën rihter dhe shkaktoi 600 viktima. Një tërmet tjetër i madh u regjistrua në Dibër në vitin 1967, duke regjistruar 18 viktima dhe duke shkaktuar 140 milionë USD dëme.

Mesatarja vjetore e popullsisë së prekur nga tërmetet në Shqipëri vlerësohet në 200,000 persona, ndërkohë kosto vjetore në GDP rreth 700 milionë USD.  Sipas Bankës Botërore në mesatare vjetore tërmetet shkaktojnë 50 viktima dhe 100 milionë USD në humbje kapitale.

Banka Botërore nënvizon se humbjet në kapital dhe njerëz nga tërmetet e rrallë por me intensitet të lartë janë shumë më të mëdha se sa mesataret vjetore. Për shembull, një tërmet me mundësi vjetore 0.4 për qind (me periudhë ripërsëritjeje mesatarisht çdo 250 vjet) do shkaktonte afërsisht 3,000 viktima dhe 2 miliardë USD në humbje kapitale – afërsisht 20 % të GDP-së së Shqipërisë prej 11.6 miliardë USD.