Ndërtesa e Bankës Botërore

BB: Brishtësia e Qeverisë- Rrezik për Vonesa në Reforma

Qeveria e krijuar me 61 vota nga 120 po vlerësohet nga Banka Botërorese se mund të ballafaqohet me vonesa dhe presione në reforma fiskale.

Banka Botërore (BB) ka publikuar raportin për migrimin dhe lëvizshmërinë. Në dokument BB ka publikuar të dhëna ekonomike të përditësuara për Europën dhe Azinë Qendrore. Në këtë dokument flitet edhe për rrjedhën ekonomike në Kosovë.

Sipas Bankës Botërore, ekonomia e Kosovës u rrit në 3.4 për qind në vitin 2016 duke u ndikuar nga konsumi privat dhe investimet. Një shkallë më e lartë e rritjes është projektuar edhe për vitet 2017 dhe 2018 për të nxitur rritjen e investime publike dhe eksportet.

BB thotë se rritja ekonomike rriti punësimin duke e zbutur papunësinë, por reduktimi i qëndrueshëm i varfërisë mbetet sfidues pasi tregjet e punës mbeten të dobëta dhe presionet për të kërkuar punësim jashtë vendit janë të larta.

BB thotë se rreziqet përfshijnë brishtësinë e qeverisë së re që është qeveri e pakicës me 61 vota nga 120 sa janë gjithsej në Kuvend.  Brishtësia politike mund të çojë në rritjen e rreziqeve për presione fiskale dhe rreziqeve të vonesave në reforma fiskale.

Ndërkaq në aspekt pozitiv është rritja regjionale dhe globale e cila mund të mbështesë  rritje edhe në Kosovë.

Reformat të cilat janë prioritare, sipas Bsnkës Botërore, përfshijnë drejtimin e resurseve të rritjes ekonomike kah sektori i mallrave të tregtueshme dhe rritjes së produktivitetit në adresimin e papunësisë së lartë, norma të ulëta të pjesëmarrjes dhe varfërisë. Kjo kërkon reforma të mëdha strukturore për të shtyrë rritjen ekonomike dhe për ta bërë më gjithëpërfshirëse.