Flamuri i Bashkimit Europian. Foto: Kirsty Wigglesworth/AP

Bashkimi Europian: Pas Demarkacionit, Luftimi i Korrupsionit!

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së, Natalya Apostolova dhe Shefat e Misioneve të BE-së në Kosovë në një deklaratë të përbashkët për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi kanë thënë se është përmbushur njëri nga dy kriteret e mbetura për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi nga ana e Kuvendit të Kosovës paraqet një arritje të rëndësishme për Kosovën dhe popullin e saj. Ratifikimi është shembull konkret i përkushtimit të Kosovës ndaj marrëdhënieve të mira fqinjësore. Gjithashtu, kjo nënkupton se u përmbush një nga dy kriteret e mbetura për liberalizimin e vizave për Kosovën”, thuhet në deklaratë.

Po ashtu ata janë shprehur se shpresojnë dhe presin që bashkëpunimi ndërpartiak për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit të jetë shenjë e lëvizjeve të ardhshme në çështjet me rëndësi të madhe për Kosovën.

“Tash, vëmendja duhet të përqendrohet në forcimin e rezultateve të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Presim që të gjitha palët të vazhdojnë punën e madhe dhe përpjekjet për përmbushjen e kriterit të mbetur për liberalizimin e vizave dhe për avancimin e perspektivës evropiane të Kosovës”, theksohet në deklaratë.

Ata gjithashtu kanë uruar ligjvënësit e Kosovës që e bënë të mundur këtë gjë dhe pse procesi ishte i gjatë dhe me raste i mundimshëm, por që në fund u arrit rezultati i duhur për popullin e Kosovës.

“Sidoqoftë, me keqardhje pamë që diskutimi në Kuvend u pengua nga përpjekje të vazhdueshme për t’i ndërprerë procedurat duke lëshuar gaz lotsjellës. Ne, i dënojmë me forcë të gjitha aktet e dhunës kundër ligjvënësve të Kosovës, praktika të tilla nuk kanë vend në diskursin politik”, potencohet në deklaratën e përbashkët të përfaqësuesve të BE-së në Kosovë.