Bashkëshortja e të Vrarit: Të Akuzuarit Nuk Kërkuan Pajtim

Në gjykimin për vrasjen në Klubin e Natës “Amsterdam” që ndodhi vitin e kaluar, bashkëshortja e të vrarit gjatë dëshmisë tha se të akuzuarit nuk janë përpjekur të pajtohen me familjen e dëmtuar.

A.B., bashkëshortja e të ndjerit Luan Bektashi i qëndroi besnike deklaratës së dhënë në prokurori, por tregoi në gjykatë se të akuzuarit nuk kanë tentuar të pajtohen me familjen e të vrarit.

“Nuk është tentuar pajtimi nga ana e të akuzuarve dhe nuk jemi pajtuar”, deklaroi ajo.

Avokatja Sadije Mjekiqi e pyeti dëshmitaren nëse familjarë të Gent Selimit kanë kërkuar falje dhe ndërmjetësim nëpërmjet vëllait të saj.

“Kjo nuk është e vërtetë”, tha e dëmtuara, ndërsa bëri me dije se qëndron pranë kërkesës për kompensim të dëmit.

Prokuroria e akuzon Gent Selimin për vrasje të rëndë pasi që me datën 30 mars të vitit të kaluar rreth orës 01:15 minuta në Prishtinë në Klubin e natës “Amsterdam” gjatë rrahjes ka sulmuar fizikisht me thikë tani të ndjerin Luan Bektashin.

Bektashi vdiq më 1 prill nga plagët e marra prej këtij sulmi.

Të akuzuar në këtë proces për pjesëmarrje në rrahje janë edhe Besim Ahmeti, Isuf Drejiqi, Dren Krajkova dhe Bilent Bektashi.

Përveç gruas së të vrarit, në gjykatore dëshmoi edhe Kushtrim Zena që ishte kamerier në Lokalin “Amsterdam”, kur ndodhi vrasja e Luan Bektashit.

Zena tha se ishte duke u shërbyer ca shokëve në një kënd të këtij lokali, kur dëgjoi ca zhurma dhe pa persona që po rriheshin.

“Jam ngjitur shkallëve për në shank pasi restoranti ka qenë si në dy nivele. Unë e kam parë pronarin Luanin kur është munduar me i nda”, tregoi dëshmitari.

Ai tha se edhe njëri nga të akuzuarit është munduar ta ndalojë rrahjen. E pati fjalën për Dren Krajkovën, të cilin tha se e njihte.

“Në tavolinën ku kanë qenë të akuzuarit kanë qenë katër persona. Dren Krajkova është munduar t’i ndajë duke bërtitur ‘ndaluni, ndaluni, së bashku me pronarin-Luanin”, vijoi ta tregojë ngjarjen Zena.

Sipas tij, të akuzuarit kanë gjuajtur me shishe dhe më vonë i janë afruar derës për të dalë jashtë.

“Në dysheme te dera e hyrjes ka pasur shishe, thika, gurë” kujtoi dëshmitari.

Ai përshkroi edhe veprimet e tij ditën kur u lëndua tash i ndjeri Bektashi.

“Unë kam shkuar me i marrë çelësat e veturës për ta dërguar Luanin në spital dhe jam kthyer te Luani. Në ato momente i ka humbur vetëdija dhe ra në duart e mia. Unë e kam pa se nga pantollat i rridhte gjak, e kam mbështjellë me një trenerkë. Më pas e kam thirrur policinë” shpjegoi dëshmitari.

Seanca e radhës në këtë rast është paraparë të zhvillohet më 2 mars 2015.