Pamje nga seanca e sotme e gjykimit të Granit Elshanit – Foto: KALLXO.com

Bashkëpronari i Diskotekës Dëshmon në Gjykimin e Granit Elshanit

Ish-bashkëpronari i diskotekës “City Club” në Pejë, Artan Bibaj, ka dëshmuar sot në gjykimin e Granit Elshanit, ku ka rrëfyer për të shtënat e armëve që ia morën jetën ortakut të tij, Besart Shabit, më 2 janar 2010. Tre persona të tjerë mbetën të plagosur në këtë incident.

Për ketë rast Prokuroria Speciale e Kosovës e akuzon Granit Elshanin, ndaj të cilit po zhvillohet procesi gjyqësor në Gjykatën Themelore të Pejës.

Gjatë dëshmisë se tij, Artan Bibaj tha se ishte muaji i parë që kishin hapur diskotekën “City Club” bashkë me shokun e tij, tani të ndjerin Besart Shabi.

“Unë dhe i ndjeri Besart Shabi kemi qenë shok të pandashëm nga fëmijëria. Kemi punuar në shumë lokale të Kosovës si kamariera së bashku. Pas një kohe të gjatë vendosëm edhe e morëm lokalin “City Club”, ishte muaji i parë i biznesit tonë në atë objekt”, tha Bibaj.

Ai tregoj se për shkak se ishin të rinj në moshë dhe në biznes, kishin shumë panik shpeshherë kur organizonin mbrëmje me muzika të ndryshme.

“Si i ndjeri (Besart Shabi) ashtu edhe unë kemi qenë të ri në moshë dhe biznes dhe gjatë mbrëmjeve që kemi organizuar gjithmonë e kemi pasur një lloj paniku, sepse ishim të detyruar të na shkojnë gjërat sa më mirë. Unë atë natë kam qenë më shumë i fokusuar tek shkallët e drurit që të shpijnë për katin e dytë të lokalit. Atë natë ka qenë tollovi e madhe me njerëz”, tha ai.

Dëshmitari para trupit gjykues tha se natën kur ndodhi incidenti kishte muzikë të gjallë dhe mysafirë brenda diskotekës. Sipas tij, aty ishin rreth 800 persona.

Bibaj tregoi edhe për momentin kur para krismave kishte folur për herën e fundit me të ndjerin Besart Shabin.

“Momentin që e kam pa që është qetë te shkallët, unë jam futur drejt në podium dhe aty kam takuar disa klientë duke bashkëbiseduar se si po kalojnë. Pastaj kam vazhduar drejt binës, i kam takuar edhe dy shoqe dhe kam biseduar me to. Kur e kam ngrit kokën lartë kanë qenë të dy të ndjerët bashkë, Besart Shabi dhe Lara (Valdet Kelmendi). Kam biseduar me ta për disa sekonda, unë atë kohë nuk është që kisha afërsi me Larën (Valdet Kelmendin). Aty Besarti me ka nguc diçka në humor, në ato momente jam kthyer ka pika ime e dobët që ishin shkallët edhe e kam pa që në shkalla kishte shumë njerëz dhe me nxitim jam nisur drejt atij vendi”, tha dëshmitari.

http://kallxo.com/deshmitaret-flasin-ku-ishte-granit-elshani-ne-naten-e-incidentit-ne-peje/

Ai tregoi se pasi kishte mbërritur tek mesi i lokalit kishte dëgjuar disa të shtëna të armëve. Kur u shkrepën armët ai tha se ishte me shpinë kthyer nga bina.

“Kur kam mbërri ka mesi i lokalit prej binës, i kam dëgjuar të shtënat. Në ato momente është krijuar panik e madhe, ku gjithë njerëzit bërtitnin, u ndal muzika dhe janë shtri për tokë. Fakti që unë kam qenë midis tollovisë, guzhva më ka rrëzuar në ato momente. Derisa jam drejtuar dhe jam ngrit në këmbë, kam filluar të vrapoj nga dalja, pasi që shumë njerëz që kanë qenë prezent me kanë njofto si bashkëpronar dhe m’u kanë drejtuar: Andej iku, andej iku”, tha ish-bashkëpronari i diskotekës “City Club”.

Derisa po tregonte se kishte dalë jashtë diskotekës për t’iu vënë pas personit që kishte shtënë me armë, prokurori e pyeti dëshmitarin se a njeh Xhevdet Kelmendin.

Bibaj tha se nga viti 2009 e kishte njohur Xhevdet Kelmendin, por tha se më herët vetëm ia kishte dëgjuar emrin.

Kur personi që kishte shtënë me armë kishte dalë jashtë lokalit, Artan Bibaj tha se iu kishin vënë pas tij disa persona, në mesin e tyre edhe vet ai.

“Jashtë lokalit derisa ka vazhduar ndjekja e personit në fjalë (personit që kishte gjuajtur brenda diskotekës), Xhevdet Kelmendi ka qenë i pari që e ka ndjekur nga mbrapa. Ka pasë edhe persona tjerë që nuk më kujtohen kush kanë qenë për momentin, në mesin e tyre kam qenë edhe unë. Po Xhevdeti e ka pasur armën me veti kur e ka ndjekur atë. Personi që e ka kryer ketë masakër ka kaluar parkun e vogël afër diskotekës dhe ka kaluar rrugën duke ikur, pastaj ka vazhduar afër butikut “Muko”. Për fat të keq nuk e kam parë, ka qenë i kthyer me shpinë”, tha ai.

http://kallxo.com/xhevdet-kelmendi-deshmitar-ne-gjyqin-e-granit-elshanit/

Ai tregoi edhe kur kishte dëgjuar disa të shtëna tjera derisa dorasi po ikte, mirëpo dëshmitari Bibaj tha se nuk e kishte parë nëse është plagosur ndokush.

Kur kishte hyrë në rrugën që të dërgon drejt “Kullës së Pashës”, ai tha se ishin shumë afër personit që po ndiqnin.

“Momentin që lëshohesh rrugës teposhtë kah “Kulla e Pashës, aty kemi qenë më së afërmi tij, diku rreth 15 metra, ndoshta edhe më afër. Aty mundem ta përshkruaj personin në fjalë, ka qenë rrumbullt se ai ka qenë duke vrapuar dhe ne duke vrapuar. Personi që ikte nuk ka qenë shumë i zhvilluar, ai i mbante armët në dorë, nuk i kam vërejtur se çfarë pistoleta kanë qenë. Në pjesë rrugës ku gjendet një biçiklist, ai e ka shfrytëzuar rastin edhe ka shti në drejtim tonin dhe ka përfituar në kohë duke u larguar me shumë distancë prej neve”, tha ai.

Kur ishin dëgjuar të shtënat ai tha se kishte dëgjuar disa gra duke bërtitur, kurse personi që ishin duke ndjekur tha se kishte hipur në një veturë që po e priste.

Në atë moment ai tha se me armë kishte gjuajtur edhe Xhevdet Kelmendi.

Pasi ishte kthyer sërish tek diskoteka, Bibaj tha se aty e kishte kuptuar se plumbat e kishin goditur edhe shokun dhe ortakun e tij të punës.

“Aty dikush më ka thënë: A shpëtoi Kaqa (Besart Shabi). Në atë moment e kam kuptuar që njëri prej viktimave është edhe Kaqa. Menjëherë jam nisur drejt rrugës “Isa Demaj”, 250 metra larg lokalit, e kam hap një derë të veturës  që ishte në kolonë, e kam lutur të më dërgoj në Spital shpejt. Kur kam mbërri në Spital e kam pa që Kaqa ka qenë pa shenja jete”, tha ai.

Kur përfunduan të gjitha pyetjet nga palët, dëshmitari tha se dëshiron të shtojë se ai bashkë me shokun e tij të ndjerë, Besart Shabin, asnjëherë nuk kishin pasur problem me askënd.

Dëshmia e muzikantit

Gjatë seancës se sotme ka dëshmuar edhe Valon Biba, që natën kur kishte ndodhur rasti në diskotekë ai ishte pjesë e muzikantëve që kishin performuar muzikë të gjallë.

Biba tha se muzikantët gjatë pauzës kishin qëndruar në binë, kurse muzikë kishte vazhduar të lëshojë DJ.

Ai tregoi se në binë kishte ardhur edhe Besart Shabi, bashkëpronari i diskotekës, për të cilin tha se kishte biseduar disa minuta për atmosferën që ishte duke mbretëruar atë natë.

“Atë moment unë jam kthyer të komunikoj me Nadin (muzikanti tjetër), ndoshta ka pasë 4 ose 5 minuta pasi jemi dalë në pauzë. Aty janë dëgjuar krismat, jam kthyer me atë mendimin se prapë ka fishekzjarrë se nuk u dëgjojke aq mirë sepse ishte edhe muzika e madhe. Ka pasur disa të shtëna, po saktë nuk e di. E di që kur jam kthyer Kaqa u rrëzu para instrumenteve të mia të muzikës. Kam menduar që ai u rrëzu duke u mbrojtur”, tha muzikanti.

Dëshmitari tregoi se nuk e kishte ditur se Besart Shabi ishte qëlluar me armë zjarri, ndërsa tregoi edhe për momentin kur e kishte parë një person me dy pistoleta.

“Unë tërë kohën i kam thënë Kaqës: Mos u ço, mos u ço, se po gjuan. Pa dijeninë time se ai ka qenë i plagosur”, tha dëshmitari.

“Pastaj është krijuar kaos i madh. Unë i kam fokusuar sytë tek personi që ka pasur armët në dorë, ai ka qenë i kthyer për me dalë jashtë. Njërën armë e ka pasur në drejtim të binës, kurse tjetrën përpjetë”, tregoni ai.

Muzikanti i pianos elektronike tha se kur e kishte parë personin që shtinte me armë ai kishte qenë larg rreth 7- 8 metra, mirëpo theksoi se nuk kishte mundur t’ia shihte fytyrën.

Tutje ai e bëri përshkrimin e asaj se çfarë kishte vërejtur te dorasi.

“Personin kur e kam parë ka qenë 7-8 metra larg meje, kur e kam parë unë ka qenë si në profil. Nuk ka qenë me peshë të madhe, po në suaza normale, në shpinë dukej më i gjanë”, tha ai.

Kur u pyet nga avokati Ndrec Dodaj se a do ishte në gjendje ta identifikojë personin që kishte shtënë brenda diskotekës, dëshmitari tha se nuk ia merr mendja.

Po ashtu sot ka dëshmuar edhe dëshmitarja Ilirjana Hyseni Lajçi nga fshati Ramun i Pejës.

Ajo tha se natën kritike Granit Elshani ishte mysafir i tyre, për të cilin tha se e ka dajë të babës.

Ajo theksoi se Granit Elshani asnjëherë nuk kishte dalë nga shtëpia gjatë natës, derisa Policia e kishte bastisur shtëpinë e tyre.

Sipas aktakuzës të ngritur ndaj Granit Elshanit për rastin e ndodhur natën e 2 janarit 2010 në diskotekën “City Club”, pretendohet se i akuzuari Granit Elshani kishte hyrë në këtë diskotekë dhe me dy revole të tipit “TT” kishte filluar të shtinte në drejtim të tani të ndjerit Besart Shabi dhe Valdet Kelmendi.

Siç përshkruhet në aktakuzë natën kritike Granit Elshani shënjestër të vrasjes kishte anëtarin familjes Kelmendi, Valdetin, por fat të keq kishte Besart Shabi, i cili kishte qëlluar afër tij.

http://kallxo.com/historia-e-konfliktit-elshani-kelmendi-qe-la-23-te-vrare/

Prokuroria Speciale pretendon se në konfliktin në mes dy familjeve janë kryer 29 sulme të cilat kanë rezultuar me 23 të vrarë – 10 pjesëtarë të familjes Kelmendi, tre të familjes Elshani dhe dhjetë viktima të rastit. Në mesin e të vrarëve janë edhe dy fëmijë.