Bashkëluftëtarët Nderojnë Ilmi Lufajn në Njëvjetorin e Vrasjes

Qindra qytetarë kanë bërë sot homazhe te varri i Ilmi Lufajt në Strellc të Deçanit.

Veterani i UÇK-së, Ilmi Lufaj, u vra natën 18 prillit të vitit 2016 nga rreshteri i Policisë, Shefqet Kameraj.

Hasan Kamaj, bashkëluftëtar dhe mësuesi i Lufajt, tha se po e nderojnë një luftëtar të dalluar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Një humbje e tillë është humbje e pakompromis jo vetëm në fshatin tonë, por ndoshta në Dukagjin e tërë Kosovën. E sot ishim këtu bashkë me veteranët e luftës, me shokët e idealit të tij t’i bëjmë nderim, ta shënojmë pak a shumë njëvjetorin e vdekjes së tij”, tha Kamaj për KALLXO.com.

Për kontributin e dhënë si ushtar i UÇK-së, Ilmi Lufaj u dekorua me dekoratën “Shkelzen Haradinaj” nga kryetari i Komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj.

Për këtë dekoratë Hasan Kamaj tha se është një nderim i madh për kontributin e Lufajt dhe për fshatin Strellc.

“Ishte edhe një dhuratë shumë e madhe (dekorata Shkelzen Haradinaj), shumë e çmueshme për neve. Është edhe një lehtësim i familjes për këtë dekoratë. Kjo ka vlera shumë të mëdha edhe kombëtare edhe të luftës edhe për fshat edhe për familjen e tij”, tha ai.

Për vrasjen e Ilmi Lufajt një vit me parë pranë Stacionit Policor të Deçanit në Gjykatën e Pejës po gjykohet rreshteri i suspenduar i Policisë, Shefqet Kameraj.

Bashkëfshatari i Lufajt tha për KALLXO.com së pret që drejtësia ta thotë fjalën e vet.

“Aty ku ka drejtësi është vendlindja ime, aty ku nuk ka drejtësi nuk është vendlindja ime, edhe pse e kam farefisin tim. Na ia lëmë drejtësisë njëherë, drejtësia le ta thotë fjalën e vet”, u shpreh Kamaj.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi nga ky proces gjyqësor.