Prishtina - Foto: AP

Barometri i Ballkanit: Kosovarët të Shqetësuar për Korrupsionin dhe Papunësinë

Raporti i perceptimit publik “Barometri i Ballkanit” i vitit 2017 për Europën Juglindore tregon se Kosova renditet më së larti në rajon për opinionin optimist dhe besimin në Avokatin e Popullit.

NDËRLIDHUR

Nga shtatë vendet e Evropës Juglindore, popullsia e Kosovës vazhdon të ketë opinionin më optimist ekonomik, pavarësisht nga një pesimizëm në rritje në lidhje me mundësinë që pranimi në BE është përtej horizontit, sipas raportit të ri të Barometrit të Ballkanit.

“Barometri i Ballkanit” është një studim i perceptimit publik që ka për qëllim të hartojë qëndrimet, aspiratat dhe pritjet e rajonit në lidhje me tema të ndryshme, duke përfshirë ekonominë, politikën dhe integrimin evropian. Raporti i vitit 2017 u publikua këtë javë.

“Problemet kryesore të cilat u theksuan nga të anketuarit në Kosovë ishin korrupsioni, papunësia dhe gjendja ekonomike”, tha zyra e Avokatit të Popullit të Kosovës në një njoftim për shtyp për të shënuar publikimin e raportit. “Barometri përndryshe thotë se ka një rimëkëmbje ekonomike në disa nga ekonomitë më të mëdha të rajonit, por papunësia në tërësi mbetet shqetësuese dhe nxjerr në pah shqetësimin në rritje për korrupsionin”.

I porositur nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, RCC, që nga viti 2014, Barometri është pjesë e kornizës së monitorimit për strategjinë e Evropës Juglindore 2020, EJL 2020, një agjendë rajonale e miratuar në vitin 2013 nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Kosova, Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia. Strategjia synon të rritë prosperitetin dhe krijimin e vendeve të punës në rajon dhe të nxisë bashkëpunimin rajonal dhe evropian.

Kënaqësia e përgjithshme ekonomike në rajon është e ulët, sipas raportit, i cili gjeti se “vetëm 10 për qind e njerëzve në rajonin e EJL janë të kënaqur me situatën ekonomike, ndërsa deri në 67 për qind nuk janë”.

Megjithatë, të anketuarit e Kosovës kanë shfaqur opinionin më optimist ekonomik, ku 56 përqind e të anketuarve presin që gjendja e tyre financiare të përmirësohet dhe 50 përqind presin përmirësim të ekonomisë së tyre.

Krahasuar me vitin e kaluar, shqetësimi për korrupsionin është rritur në Kosovë. Korrupsioni renditet i dyti si shqetësimi më i shpeshtë në Kosovë, i ndjekur nga papunësinë.

“Kosova është me numrin më të madh të personave të papunë për familje (49 përqind e familjeve kanë dy ose më shumë të papunë që janë në gjendje të punojnë)”, thuhet në raport.

Kosova ka përjetuar një rënie të ndjeshme në perceptimin pozitiv të mundësisë së integrimit në BE deri në vitin 2020. Vrojtimi i vitit të kaluar ka gjetur se mbi gjysma e popullsisë së Kosovës, 62 për qind, presin pranimin që në vitin 2020, ndërsa këtë vit vetëm 37 për qind e kanë pritur këtë. Megjithatë, Kosova, së bashku me Shqipërinë, janë më së shumti pro-BE veçanërisht krahasuar me vendet e tjera të EJL.

I gjithë rajoni ka një besim të ulët në institucione duke përfshirë gjykatat, gjyqësorin, parlamentin, institucionin më të lartë të auditimit, qeverinë dhe Avokatin e Popullit. Megjithatë, besimi i Kosovës në institucionin e Avokatit të Popullit renditet më së larti në rajon.

“Më pak se gjysma e popullsisë në të gjitha ekonomitë e rajonit i beson institucioneve të listuara me përjashtim të Avokatit të Popullit që gëzon besimin e 59 përqind të njerëzve nga Kosova”, thuhet në raport.

“Të marra si tërësi, gjetjet kyçe të Barometrit nga vendet e EJL theksojnë se pritjet e të anketuarve e tejkalojnë kënaqësinë me të tashmen dhe e presin vazhdimësinë e optimizmit kuptimplotë në Kosovë”, tha Avokati i Popullit në Kosovë.

12 Tetor 2017 - 17:04

Prishtina Insight 12/10/2017 - 17:04
NDËRVEPRIMI6

Barometri i Ballkanit: Kosovarët të Shqetësuar për Korrupsionin dhe Papunësinë

by Kallxo
NA NDIQNI

Send this to a friend