Banorëve të Lumbardhit Nuk iu Rregullua Kanalizimi qe Katër Vjet

Banorët e lagjes “Islam Lekaj” ankohen për neglizhencën e institucioneve komunale për përfundimin e projektit të kanalizimit, për realizimin e të cilit kishin participuar edhe vetë me mjete financiare.

“Po na rrejtën neve, dulën e ikën, s’i pamë. Për çdo sene shkojsha unë në Komunë me 7-8 veta, na thonin kemi me kry, kemi me kry, qe katër vjet sen hiç”, tha Maxhun Lekaj për KALLXO.com.

Maxhun Lekaj tha se zyrtarët komunalë u kishin premtuar para zgjedhjeve të 11 qershorit se shpejt do t’i kyçin në rrjetin e kanalizimit.

Sipas këtij banori punimet e zhvilluara dy ditë para zgjedhjeve kishin për qëllim vetëm votat, sepse siç thotë ai, pas zgjedhjeve nuk erdhën me punëtorët për t’i kryer punimet.

“U gëzova kishe oshtë qashtu, po nuk dul qashtu. Krejt ish kanë sherri i votave”, thotë ai.

Nga punimet e lëna në gjysmë dhe gropat e hapura buzë rrugës banorët e fshatit thonë së po ndihen të rrezikuar.

“Shqetësimi im dhe i gjithë banorëve është se erdhën me datën 8 qershor, filluan punimet vetëm dy qynga i kanë shti, qyre qysh e kanë lënë gropën këtu. Është rrezik për fëmijë, për banorët, për kafshë. Po më duhet me nejt këtu deri sa bëhet aksham”, ankohet Bujar Lekaj.

Për shkak që nuk janë lidhur në kanalizim, Bujar Lekaj thotë se po përballen me derdhjen e ujërave të zeza në ambiente të hapur dhe me kundërmim të erërave të këqija.

Kurse zyrtarët komunalë kanë mohuar se punimet para fushatës zgjedhore kishin për qëllim votat e banorëve.

Drejtori i Urbanizmit i Komunës së Deçanit, Ramë Melaj, tha për KALLXO.com se punimet janë vonuar deri tani shkaku i mjeteve financiare.

Ai tha se punimet do vazhdojë pas festës së bajramit.

“Fillimi i punimeve para zgjedhjeve nuk është bërë për shkak të fushatës, por për shkak të insistimit të Komunës për ta përmbyllur projektin. Herën e parë punimet janë ndalur në mënyrë që qytetarëve t’u mundësohet lëvizja e lirë për të dalë në votime. Ndërsa ndërprerja e tanishme e punimeve është bërë që mos të bllokohet rruga për festën e Bajramit. Punimet do të vazhdojnë pas festës, kurse vonesa ka pasur edhe për shkak të mungesës së mjeteve buxhetore”, tha Ramë Melaj për KALLXO.com.

KALLXO.com shkroi edhe për shqetësimin e banorëve të fshatit Drenoc për derdhjen e ujërave të zeza në tokat bujqësore.

http://kallxo.com/derdhja-e-ujerave-te-zeza-ne-livadhe-rrezikon-bagetine/

Dje, KALLXO.com raportoi se si në Sferkë të Klinës banorët po vuajnë nga kundërmimi si pasojë e mbylljes së kanalizimit.

http://kallxo.com/jeta-nen-kundermimin-e-kanalizimit-ne-sferke/