Banorët : Nuk Kemi Jetë në Hade (VIDEO)

Banorët e mbetur në fshatin Hade që po presin shpronësimin e premtuar nga KEK tash e më shumë se 10 vjet, thonë se jeta në këtë fshat është bërë e pamundur.

Emisioni ‘Jeta në Kosovë’, sonte i është dedikuar çështjes së problemit të fshatit Hade dhe rrethinë ku kryhen mihjet për qymyr nga Korporata e Energjetikës së Kosovës (KEK).

Me shpalljen e kësaj zone si zonë me interes ekonomik u planifikua që shpronësimi i kësaj zone të bëhet në një afat të shkurtë që nga viti 2004.

Megjithatë edhe sot 12 vjet më pas, rreth 30 familje kanë mbetur mbrapa duke pritur realizimin e këtij plani.

Muhamet Preniqi , banor i këtij fshati, thotë se i janë shkelur të drejtat për planifikim të jetës.

“Në Hade nuk jetohet, në Hade që 12 vjet nuk ka jetë, prej se ka hyrë KEK-u në Hade më jetë nuk ka”, shprehet Preniqi.

Ndërkaq Florim Grajqevci, një tjetër banor, bën thirrje që të plotësohet marrëveshja që e kanë pasur me KEK-un për shpronësim të dinjitetshëm.

Emisionin ‘Jeta në Kosovë’, mund ta ndiqni të plotë në linkun e mëposhtëm: