Banorët nuk e Duan Drejtoren nga “Shehri”

Drejtoria e Arsimit në Gjakovë pas dështimit të konkursit për drejtor në shkollën “7 Shtatori” ka marrë vendim që për tre muajt e ardhshëm ushtrues detyre i drejtorit të jetë mësuesja Gonxhe Dushi.

Më herët këtë pozitë e mbante Shote Mahmutaj, ndërsa prindërit e nxënësve të kësaj shkolle duan që ajo të vazhdojë ta drejtojë shkollën.

Hasan Sylmetaj, kryetari i Këshillit të Prindërve të shkollës tha për KALLXO.com se do bojkotojnë mësimin derisa të tërhiqet vendimi i marrë për drejtuesin e shkollës “7 Shtatori” në Gërçinë.

“Ne prindërit jemi mbledhur dhe kemi marrë njëfarë vendimi se derisa të pezullohet vendimi i kryetares së Komunës Mimoza Kusari-Lila që ia ka lëshuar Gonxhe Dushit, ne e kemi bojkotuar mësimin. Nuk ka bërë vetëm për shkollën tonë, por ka bërë edhe me shkolla tjera. M’i heq katunarët e mi shti qytetarët“, tha Sylmetaj.

Njëjtë mendon edhe një banor tjetër i këtij fshati, i cili tha se drejtorja e re nuk i pëlqen fshatit të tij.

“Ne po bojkotojmë (mësimin) për arsye që drejtuesen e kemi pasur tonën për ushtrues të detyrës. Mandati i ka kaluar që katër muaj dhe është pa vendim këtu. Pse me pru paligjshëm atë, pa informatë të katunit, as pa kurrgjë hiç, e kanë pru direkt në zyre”, tha ai për KALLXO.com.

Sipas drejtoreshës për Arsim në Gjakovë Diana Çarkaxhia konkursi për drejtor të “7 Shtatorit” në Gërçinë në të cilin konkurruan dy kandidatë nga ky fshat u anulua pasi nuk ishin plotësuar kriteret.

Çarkaxhia nuk e sheh problem emërimin e Dushit për ushtruese të detyrës, ngase ajo është punëtore e shkollës në Gërçinë.

“Kemi zgjedhur mësimdhënësen e cila punon nga viti 2001 në këtë institucion zonjën Gonxhe Dushi, mësimdhënëse e programit fillor, e cila do të kryejë punën si mësimdhënëse dhe në pjesën tjetër të kohës do shërbejë për punën dhe angazhimin e stafit mësimor“, tha Qarkaxhia.

Drejtorja e Arsimit foli edhe për bojkotin.

“Mendoj se ata prindër, ata banorë nuk ua duan të mirën fëmijëve të tyre. Ligjërisht të gjithë ata prindër të cilët pengojnë procesin mësimor dhe nuk lejojnë fëmijët e tyre të vazhdojnë procesin mësimor duhet të dënohen konform ligjit”, tha ajo.

Ditën kur gazetari i KALLXO.com vizitoi fshatin Gërçinë në lidhje me bojkotin, nuk arriti të kontaktojë me ushtruesen e detyrës së drejtores Gonxhe Dushin, pasi ajo nuk ishte në shkollë.

Kontakti në telefon me të ishte i pamundur.