Prishtina I Foto: Atdhe Mulla

Banorët Kërkojnë Autobus për ‘Velani’

Banorët e “Velanisë” së Prishtinës që me autobusë urbanë dëshirojnë të udhëtojnë drejt pjesëve tjera të kryeqytetit, duhet të ecin këmbë deri te stacioni në “Kodër të Diellit”, në Sofali, ose në ndonjë stacion tjetër, pasi nëpër “Velani” nuk kalojnë autobusët e tillë.

Milaim Cana, banor i lagjes “Velania” thotë se anashkalimi i kësaj pjese të Prishtinës nga rrjeti i lëvizjes së autobusëve urbanë është problem prej shumë kohësh.

“Unë si 28 vjeçar jam bërë banor i kësaj lagjeje, tani jam pensionist. Çdo herë ka qëndruar ky problem me linjat e autobusëve. Prej që e mbaj në mend banorët e kësaj lagjeje janë ankuar në komunë, por asnjë qeverisje nuk e ka zgjidhë këtë problem. Ne si lagje qëndrojmë shumë keq sa i përket transportit me autobusë”, tha Cana për KALLXO,com.

Arben Gashi, një tjetër banor i “Velanisë” që tregoi se është ankuar disa herë në komunë gjatë qeverisjeve të kaluara, tha se prej tyre ka marrë përgjigje se “Velania” është lagje borxheze dhe nuk ka nevojë për linjë të transportit me autobusë.

Abaz Krasniqi, njëri nga banorët e “Velanisë” që jeton në Gjermani, por kthehet shpesh për pushime, thotë se autobusët duhet të qarkullojnë nëpër këtë lagje.

“Jetoj në Gjermani prej shumë vitesh, në Kosovë vij shumë shpesh. Për mua linja e autobusit nuk është ndonjë problem, por për banorët e tjerë është, komuna do të duhej të e rregullonte sa më parë”, shpjegoi Krasniqi.

Ndërsa Ukshin Gashi, kërkoi nga pushteti i tashëm lokal i Prishtinës që njëri nga autobusët e rinj të Trafikut Urban të qarkullojë nëpër “Velani”.

Adonis Tahiri, zyrtar për komunikim në Komunën e Prishtinës tha për KALLXO.com se problemet e transportit publik po shkojnë drejt zgjidhjes.

“Problemet e transportit publik në Prishtinë janë në rrugë të mirë për t’u zgjidhur. Reforma e transportit publik për qytetin e Prishtinës përveç plotësimit të flotës së autobusëve me 51 autobusë të rinj, përfshin edhe Planin e Qëndrueshëm të Mobilitetit”, tha Tahiri.

Ai tregoi se ky plan që sipas tij po hartohet nga dy kompani me renome ndërkombëtare, do të përfundojë gjatë verës.

“Përmes këtij plani që pritet të përfundohet gjatë verës, sigurohet transport funksional publik afatgjatë në tërë territorin e Komunës së Prishtinës”, tha Tahiri.

Sipas tij, me planin e mobilitetit parashikohen edhe stacione të reja të autobusëve urbanë.

“Përveç rregullimit të transportit publik ku përfshihen linjat e reja dhe stacionet e reja, janë edhe shtigjet për çiklistë, hapësirat për këmbësorë, përmirësimi i sigurisë dhe ulja e mundësive të aksidenteve, kostoja e përballueshme e udhëtimit, e të ngjashme”, tha Tahiri.

Organizata Iniciativa për Progres (INPO) edhe pse e pranon që nuk e ka në fokus monitorimin e transportit publik, thotë se komuna duhet t’ua ofrojë të gjithë qytetarëve një shërbim të tillë.

“Në bazë të kompetencave dhe obligimeve për ofrim cilësor të shërbimeve të transportit urban, komuna duhet të sigurojë qasje në trafikun urban për të gjitha lagjet, fshatrat dhe vendbanimet në Komunën e Prishtinës, në menyrë që të gjithë qytetarët të kenë qasje të barabartë në këto shërbime”, thuhet në përgjigjen e INPO-s për KALLXO.com.

Inxhinieri i komunikacionit rrugor dr. sc. Nol Dedaj thotë se Lagjja “Velania” duhet të jetë e lidhur me rrjetin e transportit me autobusë urbanë.

“Po flas në cilësi të ekspertit dhe në bazë të përvojës në lëmin e transportit. Lagjja ‘Velania’ i plotëson të gjitha kushtet teknike dhe ekonomike për linjë të transportit urban”, thotë Dedaj.

Ai tregon për KALLXO.com se si vendoset në lidhje me përfshirjen e ndonjë pjese të ndonjë qyteti në linjat e transportit urban.

“Linjat e transportit urban për t’u futur në funksion duhet të kenë arsyeshmërinë ekonomike dhe teknike. Arsyeshmëria teknike ka të bëjë me infrastrukturësn rrugore, numrin e banorëve të lagjeve”, thotë eksperti Dedaj.

Ai bën me dije se megjithatë për të vlerësuar arsyeshmërinë e përfshirjes së Lagjes “Velania” në rrjetin e transportit urban, asaj duhet bërë studim fizibiliteti.

Dedaj jep ide për një linjë qarkore të autobusëve urbanë, e cila do të përfshinte edhe “Velaninë”.

“Duke pasur parasysh se lagjja ‘Velania’ do të jetë pjesë e lagjeve tjera në të cilat është i mundur transporti urban, ajo do të hynte në një linjë qarkore duke përfshi ‘Kodrën e Diellit’, Rrugën B, spitalin, Rrugën ‘Agim Ramadani’(konviktet, rrugën për në Gërmi dhe prapë ‘Velaninë’”, tha Nol Dedaj, duke treguar se ky është vetëm propozim, ndërsa, sipas tij, për një marshutë të tillë, ose ndonjë tjetër do të duhej të vendosnin ekspertët.

Dedaj sqaron se një linjë e tillë do të ishte eksperimentale për një muaj me qëllimin që gjatë kësaj kohe të vlerësohej nëse ishte ekonomikisht e arsyeshme.