Kompania Ujësjellësi Regjional "Mitrovica" - Foto: KALLXO.com

Banorët e Veriut Nuk Paguajnë për Ujin e Shpenzuar

Mbi 12 milionë euro llogaritet vlera e faturave të ujit të shpenzuar, të cilat nuk janë paguar nga banorët serbë të komunave veriore të Kosovës që nga përfundimi i luftës, thonë udhëheqës të Kompanisë Rajonale Ujësjellësi “Mitrovica”.

Sipas tyre, nëse nuk ndërmerren masa rrezikohet ndërprerja e prodhimit të ujit nga kjo kompani.

“Administrata Tatimore po na ngarkon të paguajmë edhe TVSH-në në faturim, ne i faturojmë, mirëpo pjesa veriore, Zveçani dhe Leposaviqi, nuk paguajnë, atëher Kompania Regjionale është e obliguar të paguajë TVSh-në edhe pse këto pare nuk i merr nga pjesa e Kosovës. Ata nuk i paguajnë askujt”, tha një drejtues i Kompanisë.

Edhe zyrtarë të Komunës së Mitrovicës e pranojnë se uji i shpenzuar në veri nuk paguhet.

Arsyeja e mospagimit është refuzimi i qëllimshëm për të paguar faturat, rastet sociale dhe pamundësia për inkasim.

Ky problem, sipas tyre, është temë diskutimi që nga paslufta me të gjithë faktorët relevantë.

Për të mundësuar operimin e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica”, Qeveria e Kosovës ka paguar mbi 5 milionë euro në mënyrë që të mbulohen shpenzimet operative të shkaktuara nga mospagesa e faturave të qytetarëve, kryesisht të pjesës veriore të Mitrovicës.

Raportin e plotë mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm. /21Media