Foto: Kallxo.com

Banorët e Tashevcit Duan Zhavorr për Rrugën e Tyre

Tri familje me 50 banorë që jetojnë në fshatin Tashevc, po kërkojnë nga Komuna  e Podujevës shtrimin me zhavorr të rrugës së tyre.

Një kërkesë e tillë sipas banorit, Mustafë Abazi, komunës i bëhet çdo ditë.

“Unë kam kërku nga kryetari, kryetari nuk është ndal me bisedu kurrë me mua. Kam shku me bisedu me zëvëndëskryetarin, ai ka thënë se ne vet pe prishim rrugën, tjetri thojke jo ju nuk jeni tu jetu atje, bojshin hajgare”, tha Abazi.

Ai tregon për KALLXO.com se rruga është e pakalueshme dhe se asnjëherë nuk është ndërtuar.

“Thojnë në pranverë që bohet në vjeshtë, në vjeshtë thojnë në pranverë”, tha ai.

Sipas Abazit, numri i banorëve në fshat është zvogëluar për mungesë të rrugës, ndërsa rrëfen se po të ketë reshje shiu rruga nuk mund të kalohet as me traktor.

“Ktu janë kanë ma herët afër 20 shpi, krejt problemi i rrugës dhe i kushteve është problemi i tërheqjes. Prej anës se komunës na kërkojmë rrugën me na bo të kalueshme. Na i kemi thanë vetëm rrugën e kalueshme mos me pas pengesa”, tha Abazi.

Ndërsa një i ri nga këto familje- Fatlum Abazi kërkon vetëm zhavorr për rrugën.

“Po kërkojmë vetëm një zhavorr me ja bo në mënyrë që rruga të bëhet e kalueshme”, tha Fatlum Abazi.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me drejtorin e Planifikimit Urban në Komunën e Podujevës- Durim Salihun i cili tha se janë duke u përpjekur për të riaftësuar atë rrugë.

“Jemi duke u përpjekur që së bashku edhe me Drejtorinë e Shërbimeve Publike të paktën me zhavorr ta riaftësojmë dhe të bëhet e mundur që ata banorë – fermerë të kenë mundësi qarkullimi në të gjithë kohën”, tha Salihu.

Ai shtoi se mungesa e buxhetit komunal ishte pengesë për asfaltim të rrugës.

“Drejtoria e Planifikim Urban dhe Mbrojtjes së Mjedisit për shkak të gjatësisë së rrugës nuk ka pasur mundësi ta planifikojë për asfaltim ( nga mjetet e buxhetit komunal) por jemi në negociata me Ministrinë e Infrastrukturës që së bashku ta realizojmë këtë projekt me theks te veçantë si territor – brez kufitar”, tha Salihu për KALLXO.com.

KALLXO.com ka shkruar edhe për rrugë tjera të paasfaltuara.

http://kallxo.com/rruga-ne-mati-1-qe-nuk-asfaltohet-per-probleme-me-mezhda/

http://kallxo.com/rruga-e-paasfaltuar-percan-ldk-ne-e-suharekes/