Banorët e Shipitullës Protestojnë, KEK pret Zhvendosje të Qetë

Banorët e fshatit Shipitullë të Komunës së Obiliqit kanë protestuar sot për shkak të mos plotësimit të kërkesave të tyre për shpronësim.

Ata kanë kërkuar nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK0 që t’i ndalë ekskavatorët pasi që ndjehen të rrezikuar nga ta.

Saim Krasniqi, përfaqësues i banorëve të fshatit Shipitullë tha se është shkelur vija e rrezikshmërisë  që është e ndaluar dhe KEK, sipas tij, nuk ka të drejtë të afrohet më shumë se 200 metra.

“Fillimisht është shkelë vija e minierave që është më Ligjin për Miniera dhe Minerale, janë rrezikuar banorët dhe familjet që jetojnë afër minierës, ka vende ku vetëm 50 metra larg prej bageri është familja ku jeton aty”, tha Krasniqi.

Ai poashtu shtoi se kërkesat e tyre mbesin te njëjtat që nga fillimi i këtij procesi.

‘Punësimi nga një anëtari i familjes në ato familje ku ka nevojë dhe ku i merret vendi i punës, të vlerësohet metri katror sipas kornizës për politikat e zhvendosjes që e thotë çmimi i tregut për metër katror”, tha Krasniqi.

Ndersa Ardian Mjeku nga lagja Mjekiqi në Shipitullë tha se kjo protestë po ndodhë për shkak se KEK-u është duke ardhur gjithnjë e më afër pronave të tyre.

“Kemi dal me protestu sot për me i ndalë ekskavatorët e KEK-ut për shkak se s’ka rehati edhe s’ka gjumë, është shumë rrezik jeta e fëmijëve tanë”, tha Mjeku.

Kërkesa tjetër e banorëve, sipas përfaqësuesit të tyre, është edhe trajtimi i banorëve të përhershëm të Shipitullës.

Por zëdhënësi i KEK, Skender Bucolli, tha për KALLXO.com se kjo kompani është në pritje të përfundimit të procedurave dhe afateve ligjore pas marrjes së vendimit nga Qeveria e Kosovës për t’i aktivizuar mekanizmin e heqjes së djerrinës.

Sipas tij, deri sot KEK-u ka arritur mbi 20 marrëveshje, edhe është në pritje edhe të një numri të konsideruar të marrëveshjeve për këto dite, pasi që thotë se ka reflektim pozitiv nga banorët e afektuar.

“Kjo është një dëshmi që janë aplikuar standardet më të larta ndërkombëtarë të kësaj fushe, duke angazhuar kompani me ekspertizë ndërkombëtare si garant i zbatimit të këtyre standardeve, duke trajtuar të gjitha aspektet socio ekonomike të banorëve të afektuar”, tha Bucolli.

Por KEk u ka bërë thirrje banorëve “të mos bien pre e informatave të gabuara” qoftë nga individë apo grupe të caktuara të cilët, sipas Bucollit, më së paku kanë interes mbrojtjen e interesit të vetë banorëve, por të reflektojnë pozitivisht dhe të nënshkruajnë marrëveshjet edhe ata që nuk i kanë nënshkruar deri më sot.