Banorët e Shipitullës nuk e Pranojnë Ofertën për Shpronësim

Banorët e fshatit Shipitullë të Komunës së Obiliqit e konsiderojnë të papranueshme ofertën nga Zyra Ligjore e KEK-ut për shpronësimin e pronave të tyre.

Saim Krasniqi, përfaqësues i banorëve të fshatit Shipitullë ka theksuar se oferta e KEK-ut është fyese dhe qesharake.

“Lidhur me shpronësimin dhe kompensimin e zonës kadastrale që shtrihet në pronat e patundshme të Lagjes Krasniqi në Fshatin Shipitullë ne kemi pranuar zyrtarisht ofertën nga Zyra Ligjore e KEK-ut, ku si e tillë përveç se është e papranueshme në çdo aspekt nga ana e jonë, oferta e tillë me shifra dhe vlerësime qesharake është njëkohësisht fyese dhe diskriminuese për ne”, tha Krasniqi.

Banorët pretendojnë se kompania “Replan” e përzgjedhur nga KEK-u për t’i vlerësuar shtëpitë e tyre për kompensim, i ka favorizuar ndërtimet ilegale që janë bërë nga ata që nuk banojnë në Shipitullë.

Sipas Saim Krasniqit më shumë janë vlerësuar shtëpitë ilegale të pabanuara të ndërtura për të përfituar nga shpronësimi sesa ato që janë ndërtuar më herët.

“KEK-u i ka vlerësuar shtëpitë spekulative (të pabanuara) me shumë sesa shtëpitë tona në të cilat banojmë dhe janë të ndërtuara nga materiali ndërtimor i cilësisë së lartë”, theksoi Krasniqi.

Zëdhënësi i KEK-ut, Skender Bucolli tha se pavarësisht që KEK-u alarmoi për ndërtimet dhe ngecjet e zhvendosjes të cilat rrezikojnë prodhimin e eneërgjisë, mosveprimi i organeve kompetente  nxiti sipas tij aktet manipuluese të spekulantëve individualë.

“Përkundër njoftimeve dhe alarmimeve të përhershme nga ana e KEK-ut, për shkak të neglizhencave të vazhdueshme të institucioneve (inspektorateve kompetente), në këtë zonë kemi pasur aktivitete ilegale të ndërtimeve të egra, jo për jetesë por për qëllime spekulative të përfitimit”, theksoi Bucolli.

Saim Krasniqi, banor i fshatit Shipitullë paralajmëron se nuk do të përmbahet nëse në adresë të tij do të dërgohet ndonjë ofertë tjetër fyese dhe denigruese për shpronësimin e pronave të trashëguara brez pas brezi.

Procedurat për shpronësimin dhe zhvendosje kanë filluar që nga viti 2013, për këtë pjesë të fushës së licencuar për zhvillimin e mihjes me vendim të Ministrisë së Ambientit dhe sipas Kornizës së Politikave të Zhvendosjes.

Bucolli, zëdhësi i KEK-ut e pranon kur flet për KALLXO.com që ky proces ka shkuar keq dhe banorët janë dëmtuar.

“Jo vetëm se kemi ngecje të procesit të zhvendosjes dhe rrezikim të prodhimit, por kemi dëmtim direkt edhe të banorëve legjitimë të asaj zone. Për më keq, si pasojë e mosveprimit të inspektorateve përkatëse (edhe pse kishin informacione të sakta), ndërtuesit ilegal kishin duart e lira të veprojnë të qetë, me ç‘rast përmes manipulimit të banorëve legjitimë, nuk ishte lejuar incizimi i objekteve dhe qasja në lagje të tëra, derisa ndërtimet e egra për qellim përfitimi vazhdonin me një hov të shtuar”, shtoi Bucolli.

Banorët e fshatit Shipitullë i janë drejtuar Prokurorisë së Shtetit me 6 prill duke kërkuar prej saj që të nisin hetime për procesin e zhvendosjeve nga ky fshat, ndërsa më 11 prill prokuroria i ka informuar banorët se për këto hetime kompetente është Prokuroria në Prishtinë.

Fshati Shipitullë hyn në zonën e shpallur me interes të veçantë për zgjerimin e aktiviteteve minerare të KEK-ut.

Edhe banorët e Hades, një fshati tjetër të Obiliqit janë ankuar vazhdimisht për procesin e zhvendosjes, të cilin e ka hulumtuar emisioni “Jeta në Kosovë”.