Banorët e Prugovcit të Shqetësuar nga Kundërmimi i Kanalizimit të Papërfunduar

Disa banorë kanë raportuar në KALLXO.com hallet e tyre me një kanalizim i cili ka nisur të bëhet vitin e kaluar por është ndërprerë për arsye që për ta janë të panjohura.

Shukri Dragusha, banor i lagjes, thotë se lumi që vjen nga Bardhoshi, më së paku u sjell ujë.

“Nuk mund të dalim sidomos në mbrëmje dhe në mëngjes prej erës. Para një viti kemi bërë ankesë në komunë. Sipas fjalëve, kanalizimi nuk është përfunduar për 100 metra por shkakun nuk e dimë. Problem është edhe shiu i madh që kur bie na merr uji, na hyn nëpër bunarë, në podrume”, thotë Dragusha.

Edhe fqinji i tij, Bedri Dragusha, thotë se përroska që nuk është më e gjatë se 200 metra po u shkakton telashe deri në atë masë sa banorët të mos mund ta përdorin për pije ujin që u vjen nëpër bunarë.

“Kanalizimin kanë filluar me ba prej Barileves por për 100 metra e kanë lanë dhe nuk e dimë për çfarë arsyeje. Disa herë ankesa kemi bo por sa i kanë marrë parasysh nuk e di. Në vjeshtë na ka marrë uji, na janë mbushur podrumet me ujë, plus bunarin është deshtë ta pastrojmë dhe dezinfektojmë. Kur nuk punon ujësjellësi, detyrohemi të blejmë ujë se nuk mund ta përdorim të bunarëve”, thotë Bedri Dragusha.

Drejtori i Drejtorisë Komunale në Prishtinë për Investime Kapitale, Hysen Durmishi, tha për KALLXO.com se në kuadër të projektit është ndërtuar pjesa më e madhe e kanalizimit ndërmjet fshatrave Bardhosh dhe Prugovc.

Por për 200 metrat e mbetura ai thotë se komuna është duke u munduar të bëjë zgjidhje.

“Kjo pjesë është pronë private dhe kemi pasur shumë problem ekzekutimin në këtë pjesë, ku banori – pronari i tokës ka ndërprerë punimet në këte pjesë. Andaj kemi menduar nje zgjidhje, ku afër saj kalon një përrua me gjatësi 1.5 m pronë shtetërore. Në kuadër të kësaj pjese jemi duke e realizuar projektin e ndërtimit të kolektori atmosferik dhe fekal së bashku. Me këtë projekt do të zgjidhet edhe problemi i fshatit Prugovc 5, problem i cili ështe që një kohë te gjatë”, tha Durmishi.