Banorët e Hades i ‘Bijnë në Derë’ Ministrisë së Mjedisit

Banorët e fshatit Hade nga Obiliqi erdhën me traktorë e çadra para Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor me kërkesat e tyre për dislokim nga zona me interes të veçantë ekonomik.

Banorët e fshatit Hade tash e 12 vite janë duke pritur shpronësimin e tyre për t’i bërë vend nxjerrjes së qymyrit nga Korporata Energjetike e Kosovës për në lagjen e re në Shkabaj që është quajtur ‘Hadja e Re’.

Ragip Grajçevci, përfaqësues i fshatit theksoi se kësaj radhe arsyet e protestës janë edhe kushtet mjedisore për jetesë në këtë fshat.

“Zgjerimi i mihjeve po vazhdon çdo herë e më thellë në drejtim të fshatit, pra arsyet tona janë mihja e argjilit dhe qymyrit, djegia e qymyrit dhe lirimi i gazrave, zhurma e shiritave transportues, tymi pluhuri”, tha Grajqevci.

Në anën tjetër, Arsim Preniqi, banor i kësaj lagje pati ankesa edhe për mënyrën se si regjistrohen trojet e tyre për shpronësim.

“Kemi dalë në protestë për dislokimin e fshatit Hade, për tu bërë në mënyrë të drejtë, të rregullt, jo me hajni të ndryshme që janë tu i zhvillu këta. Trojet me na i pagu, të gjitha oborret ku i kemi, jo me i nda si toka bujqësore sepse ne familjarët humbim”, tha Preniqi.

Kjo nuk është hera e parë që këta banorë kanë shprehur pakënaqësitë e tyre për këtë çështje.

Çështja e shpronësimit të fshatit Hade dhe detaje të tjera rreth projektit për ndërtimin termocentralit “Kosova e Re” u trajtuan në emisionin ‘Jeta në Kosovë’.