Banorët dhe Institucionet Përplasen për Ujin e Pijshëm

Rreth njëzet shtëpi të lagjes “Shpëtim Bojku” të Pejës, që një muaj nuk kanë ujë të pijshëm.  Edhe pse banorët e kësaj lagje me vetë-kontribut  kishin bërë instalimin e ujësjellësit, ata thotë se nuk janë ndihmuar financiarisht nga asnjë institucion. Me gjithë investimin, kjo nuk ishte e mjaftueshme që të sigurohet uji në shtëpitë e tyre.

Cufë Krasniqi, banor i kësaj lagjeje thotë së të gjitha investimet janë bërë me kontribut të vetë banorëve.

“Mirëpo, fatkeqësisht me vetë iniciativën tonë e kemi bërë ujësjellësin e qytetit, jemi lidh me rrjet, me krejt kontributet tona. S’na ka ndihmu as KEDS-i për rrymë së është dashtë me ble edhe pompën vetë edhe po ashtu ujësjellësi. U dashtë me pagua ekskavatorin prej poshtë deri lart me vetë iniciativën time. Janë ardh disa herë ata vetëm i kanë montua do orë elektrike dhe ujë s’ka pas kurrë, pa pompë. Është dashtë vetë me financu edhe me ble pompën. Kur e kem ble atë e kem vendos që një muaj, ka ardhë KEDS-i edhe e ka ndal”, thotë Krasniqi.

Kurse banori tjetër i kësaj lagjeje, Tahiri, thotë se po shpenzojnë shumë duke bartur ujë me veturë.

“Nuk kem ujë hiç. Njëzet shtëpi janë së paku që kem probleme për ujë. Aq shpenzime po bëhen duke bartur ujë me veturë ditën. Fëmijët i kemi të vegjël, uji duhet, ujë s’kemi. KEDS-i u ardhë ia ka vendos bllombën, tash po thonë duhet me pagu edhe orën, e na vetë krejt financues jem kanë këtu”, thotë Tahiri.

“Është vështirë për me ecë në këmbë e lëre më me bartë 20 kilogramë në duar, edhe e kam ndorën e thyer. Çdo ditë duhet me bartë se s’ki çka bën pa ujë. Jo s’ka hiç, nuk bën se ia ka ngjit bllombën e ka këputë atje rrymën”, thotë Galla.

Kurse Mevlyde Idrizi, zyrtare për media në kompaninë rajonale “Hidrodrini” thotë së banorët e kësaj lagjeje nuk kanë bërë asnjë kërkesë në këtë kompani për të kërkuar bashkëpunim për zgjidhjen e problemit.

“Jo unë asnjëherë nuk kam takuar ndonjë ekip ose ndonjë përfaqësues të lagjes “Shpëtim Bojku” që kanë ardhur në kompaninë tonë për të shtruar ndonjë kërkesë ose për të biseduar me stafin menaxherial, gjë që kishte me qenë e udhës edhe sot, nuk është vonë asnjëherë të bashkëpunojmë që të gjejmë formën më të mirë të mundshme që t’u dalim në ndihmë të gjithë qytetarëve”, thotë ajo.

Ajo ka shtuar së banorët e kësaj lagjeje kanë obligime ndajë kompanisë afër 10 mijë euro për shpenzime të ujit.

Ndërsa zëdhënësi për media i KEDS-it, Guri Shkodra, tha se shkyçja është bërë për shkak se ka qenë lidhje ilegale.

“Ekipet tona gjatë kontrolleve të rregullta në terren, kanë identifikuar disa pompa të ujit të kyçura në rrejt në mënyrë ilegale dhe pa njehsor elektrik. Këto pompa bënin shfrytëzim ilegal dhe të pa regjistrua të energjisë elektrike. Në KEDS nuk do të tolerojmë asnjë kyçje ilegale në rrejt, andaj edhe ne kemi bërë shkyçjen e menjëhershme të lidhjes ilegale sipas procedurave derisa të kryhen obligimet nga personat apo institucionet përgjegjëse”, thuhet në përgjigjen me shkrim.

Ndërkaq, Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Pejës, Ukë Selimaj, tha përmes telefonit për se nuk ka pasur asnjë ankesë ose kërkesë nga banorët e kësaj lagjeje.

“Askush për ketë problem nuk është drejtuar zyrtarisht tek ne. Në momentin kur bëhet ndonjë kërkesë zyrtare nga banorët, ne do të dalim në terren dhe do të marrim masa sipas mundësive që i kemi”, tha Selimaj.