Rruga e dëmtuar në Pejë | Foto: KALLXO.com

Banorët Ankohen për Rrugën e Prishur në Pejë

Banorët e lagjes “Xhemajl Kada” të Pejës,ankohen për gropat e shumta në rrugën kryesore të lagjes dhe vështirësinë që hasin gjatë qarkullimit.

Ata shqetësimet e tyre i kanë raportuar në KALLXO.com.

Sipas Nebi Havollit, rruga që shtrihet mbi kodrën e lagjes është shumë e dëmtuar dhe nuk është riparuar asnjëherë pas luftës.

Havolli deklaroi për KALLXO.com se në Komunën e Pejës u kanë thënë banorëve se kjo rrugë nuk është prioritet.

“Rruga është e dëmtuar 90 % . Sivjet na kanë thanë zyrtarët e komunës se ka kaluar projekti i rrugës në tender, por javën e kaluar, aktivistët e bashkësisë territoriale kanë shku në Kuvend Komunal dhe ju kanë thanë nuk është në prioritet njëherë kjo rrugë, por do rrugica tjera ka 75 metra”, tha Havolli.

Ai u ankua edhe për prishjen e automjeteve gjatë qarkullimit mbi këtë rrugë.

“A po sheh qysh është prish asfalti, sa njerëzit i kanë prishur veturat e tyre në ketë rrugë”, tha ai.

Banori tjetër i lagjes “Xhemajl Kada” thotë se rruga e dëmtuar bëhet gati e pakalueshme gjatë dimrit.

“Llom, llom është kjo rrugë. Kurrgjë nuk o tash qysh bahet dimrit, nuk mund të ngjitet njeri i gjallë se o tmerr. Komuna që sa kohë po premton po s’ka kurrgjë prej tyre”, theksoi Dreshaj.

Drejtori aktual i Shërbimeve Publike në Komunën e Pejës, Muhamet Mahmutaj tha për KALLXO.com se disa probleme tjera që kanë dalë e kanë shtyrë intervenimin në këtë rrugë.

“Ne kemi pasur të intervenojmë në atë rrugë me mirëmbajtje, po janë dalë disa probleme me rrjetin e kanalizimit dhe pa u riparuar kanalizimi nuk mund të intervenojmë në rrugë. Besoj që shpejt do bëhet zgjidhje”,tha Mahmutaj.

Ndërsa Nexhat Miroci, kryetar i Këshillit Lokal të Lagjes, pasi tregoi se në këtë rrugë janë kryer projekte për ujërat atmosferikë, tha se rregullimi i saj pritet të përfshihet në buxhetin e 2018-ës.

“Kemi kërkuar që të bëhet riparimi i gropave përmes operatorit të mirëmbajtjes,mirëpo nuk është realizuar deri me tani. Ne kemi marrë premtime se me buxhetin e vitit 2018 do të përfshihet asfaltimi i asaj rruge në tërësi, siç janë realizuar dhe shumë projekte të tjera. Ne shpresojmë që edhe kjo kërkesë do të realizohet”,tha Miroci.

KALLXO.com ka shkruar edhe për gropa në rrugë tjera të vendit që vështirësojnë qarkullimin.

http://kallxo.com/qytetaret-mbjellin-pisha-ne-gropat-ne-rruget-e-dragashit/

http://kallxo.com/pyllezimi-i-asfaltit-kryen-pune-gropat-ne-rruge-pritet-te-mbushen/

http://kallxo.com/rruga-e-asfaltuar-prishet-per-tre-muaj-video/