Ilustrim

Banka Qendrore Themelon Një Organ për Kryptovalutat

Banka Qendrore e Kosovës ka themeluar një organ të përhershëm i cili do ta bëjë vlerësimin dhe adresimin e sfidave rregullative në lidhje me kryptovalutat apo paratë virtuale.

Ky organ i formuar do të përcjellë dhe analizoj zhvillimet që ndodhin rreth kryptovalutave.

“Ky organ i strukturuar në formën e një grupi këshillues do të përcjellë dhe analizojë zhvillimet ndërkombëtare për rregullimin e parave virtuale, me fokus në trajtimin e tyre nga rregullatorët në vendet e BE-së dhe vendet e rajonit, si dhe do të përgatisë rekomandime për organet vendimmarrëse të BQK-së lidhur me hapat e mëtejmë në funksion të rregullimit të parave virtuale”, thuhet në njoftimin e BQK-së.

Tutje përmes këtij njoftimi BQK-ja ka bërë thirrje për kujdes të shtuar në lidhje me rrezikun për humbje financiare nga investimi në kryptovaluta.

“BQK-ja vazhdon t’ua tërheqë vëmendjen subjekteve vendore lidhur me rreziqet për humbjet financiare që mund t’i pësojnë nga investimi në para virtuale, si dhe lidhur me implikimet e tjera të mundshme”, thuhet tutje në komunikatën e BQK-së.