Foto: Kallxo.com

Banka Botërore: Të Rishikohet Vendimi për Pagat e Qeveritarëve

Zyra e Bankës Botërore në Kosovë ka bërë sot prezantimin e  numrin më të ri të Raportit të Rregullt Ekonomik për Ballkanin Perëndimor.

Drejtoresha e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Linda Van Gelder, nëpërmjet video-lidhjes nga Zyra e Bankës Botërore në Vjenë tha se  ky është edicioni i 13-të i Raportit të rregullt ekonomik.

“Ky raport vlerëson zhvillimet e kohëve të fundit ekonomik në Shqipëri, Bosnjë Hercegovinë, Kosovë, Serbi, Maqedoni, Mal të Zi dhe paraqet zhvillim ekonomik dhe vendet e punës në qendër. Të  gjitha këto  vende të  Ballkanit Perëndimor përballen me sfidën e kriijimit të punës duke pasur parasysh nivelin e papunësisë në rajon” tha  Gelder.

Ndërsa Agim Demukaj ekonomist në Bankën Botërore në Kosovë tha se për të mënjanuar kurthin e rritjes së ulët është me rëndësi që të arrihet përparim në reformat strukturore në promovimin e zhvillimit të sektorit privat dhe eliminimin e kufizimeve për pjesëmarrjen e  fuqisë punëtore.

Ai tha se Bruto Produkti Vendor është rritur 4.4% në vitin 2017, nga 4.1% sa ishte në vitin 2016.

“Nga kjo rritje vitin e kaluar kemi krijuar 25,300 vende të reja të punës kryesisht në prodhim dhe shërbime. Më shumë njerëz vendosën të kërkojnë punë në mënyrë aktive”, tha Demukaj.

Demukaj ka përmendur edhe rritjen e barrës fiskale për skemën e veteranëve të luftës, për të cilën tha se në afat të gjatë është e paqëndrueshme.

“Qeveria duhet të ndërmarrë masa që të korrigjojë çka ka ndodhur aty dhe të zbatojë ligjin e ri i cili parasheh qe në tërësi kjo skemë të mos kalojë në 0.7 % të prodhimit vendor si kosto fiskale”, tha Demukaj.

Ndërsa për vendimin e Qeverisë për rritjen e pagave, Demukaj tha se Banka Botërore konsideron se  ky vendim duhet të rishqyrtohet.

“Ky vendim kërkon një analizë më të mirë me shiku si ka ardhur deri tek ai vendim, sa është i arsyeshëm ai vendim. Të mos harrojmë se me sa ne e dimë nuk ka pasur ndonjë rritje të pagave të politikanëve prej vitit 2009 dhe rritja duhet të ndodhë, por një rritje e tillë e cila është prezantu si 100% apo më shumë, e konsiderojmë si diçka që me të vërtetë duhet të rishqyrtohet” tha Demukaj.

Sipas raportit, rritja ekonomike parashihet të rritet në 4.8% në vitin 2018-2019, por prospekti është i ndjeshëm ndaj rreziqeve të jashtme dhe të brendshme, duke përfshirë edhe ato politike.

“Përmirësimi i efikasitetit të politikave fiskale në investime në kapitalin njerëzor dhe fizik është esencial për një rritje më të shpejtë dhe të qëndrueshme”, thuhet në raport.

Në këtë raport janë përmendur edhe shpenzime të cilat dominohen nga pagat publike dhe transferet sociale të pa-shënjestruara.

“Transferet sociale u rritën nga 3% e BPV në vitin 2013,  në 6% të BPV në vitin 2016, por vetëm 0.5% janë shpenzimet të targetuara për të varfrit”, thuhet në raport.

Banka Botërore ka ulur parashikimin e saj për rritjen ekonomike për Ballkanin Perëndimor në 3.2% për vitin 2018 nga parashikimi i saj i mëhershëm prej 3.3% dhe ka paralajmëruar se reformat strukturore janë të nevojshme nëse rajoni dëshiron të rritet qëndrueshëm në periudhën afatmesme.

Në prezantimin e raportit u tha se pritet që rajoni i cili përbëhet nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, Bosnja dhe Serbia, të ketë rritje për 3.5 për qind më 2019, nga 3.6 sa kishte parashikuar në raportin e nëntorit 2017.

Raporti i Rregullt Ekonomik për Evropën Juglindore prodhohet dy herë në vit nga ekonomistët në Praktikën Globale për Makroekonomi dhe Menaxhment Fiskal të rajonit Europë dhe Azi Qendrore të Bankës Botërore.