Nga konsultimet e mëhershme të zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës me zyrtarë të Bankës Botërore

Banka Botërore Jep 210 Milionë Dollarë për Pesë Vjet

Sipas një komunikate të Ministrisë së Financave nga Banka Botërore për fuqizim të sektorit privat, punësimit, zbutjes së varfërisë dhe sektorëve tjerë strategjikë, pritet të vijnë miliona dollarë investime.

Këto investime janë rrjedhojë e aprovimit të Kornizës së Partneritetit me Kosovën nga Bordi i Bankës Botërore.

“Bordi Ekzekutiv i Bankës Botërore ka aprovuar Kornizën për Partneritet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Botërore për periudhën 2017-2021. Aprovimi i kësaj kornize është dëshmi e vazhdimit të mbështetjes së fuqishme të Bankës Botërore për Kosovën dhe institucionet e saja”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Financave.

Përmirësimi i kushteve në sektorin privat dhe punësimi janë disa prej nëntë objektivave të kësaj kornize.

“Korniza për Partneritet ndërmjet Kosovës dhe Bankës Botërore ka nëntë objektiva kryesore të cilat janë të grupuara në tri fusha kryesore: përmirësimi i kushteve për përshpejtimin e rritjes së sektorit privat dhe punësimit; forcimi i dhënies së shërbimeve publike si dhe menaxhimi makro-fiskal; si dhe promovimi i energjisë së qëndrueshme dhe mbrojtja e ambientit”, njofton komunikata.

Në komunikatë tregohet se priten 210 milionë dollarë investime nga Banka Botërore në sektorë strategjikë të Kosovës.

“Gjatë periudhës së ardhshme pesëvjeçare, Banka Botërore pritet që të investojë në Kosovë mbi 210 milionë dollarë, në projekte të shumta në sektorët me prioritet strategjik për Kosovën siç janë: energjia, arsimi, shëndetësia, ujërat, mbrojtja e mjedisit, tregtia, politikat e punës, etj”, sqaron Ministria e Financave.

60 milionë dollarë në sektorin privat priten të investohen edhe nga Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC)

“Po ashtu, IFC planifikon investimin e rreth 60 milionë dollarëve në Kosovë gjatë të njëjtës periudhë, kryesisht në sektorin privat. Investimet e Bankës Botërore në Kosovë do të ndihmojnë institucionet e Kosovës në rritjen e punësimit dhe të produktivitetit, uljen e mëtutjeshme të varfërisë, përmirësimin e sistemit të arsimit dhe shëndetësisë, si dhe forcimin e sektorit të energjisë”, bën të ditur komunikata.

Sipas komunikatës, Korniza për Partneritet ndërmjet të Republikës së Kosovës dhe Bankës Botërore mbështet prioritetet ekonomike dhe sociale të Qeverisë së Kosovës të paraqitura në Strategjinë e Zhvillimit Ekonomik të Kosovës 2016-2021, si dhe Programin e Reformave Ekonomike.