Kanali Ibër-Lepenc | Foto: Ndërmarrja Hidroekonomike "Ibër-Lepenc"

Banka Botërore-22 Milionë Euro për Ujin e Kosovës

Projekti “Siguria e Ujit dhe Mbrojtja e Kanalit në Kosovë” që do të financohet nga kredia e Bankës Botërore do të zbatohet në një periudhë gjashtëvjeçare (2016-2022) nga Ndërmarrja Hidroekonomike “Ibër-Lepenc” SH.A. dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

Sipas komunikatës së Bankës Botërore projekti ka për qëllim restaurimin e kanalit Ibër-Lepenc për t’u përdorur në kapacitet të plotë.

“Projekti i ri ka për qëllim restaurimin e kanalit kryesor të ujit në Kosovë – Kanalit të Ibrit – në kapacitetin e tij origjinal. Kjo do të sigurojë që furnizimi më i besueshëm me ujë dhe cilësia më e mirë e ujit të sjellë përfitime për rreth 500,000 njerëz që jetojnë në pellgun e kanalit në Kosovën Qendrore dhe të bëhet faktor mbështetës për zhvillimin ekonomik dhe social,” thuhet në komunikatë.

Miratimin e kredisë e përshëndeti Ellen Goldstein, drejtore e Bankës Botërore për Kosovë dhe Koordinatore për Evropën Juglindore.

“Banka Botërore është e lumtur të jetë partnere e Kosovës në menaxhimin e burimeve të saja ujore për përdorime të shumëfishta,” tha Goldstein, njofton komunikata.

Kanali i Ibër-Lepencit- një sistem për bartjen e ujit që e siguron atë për nevojat industriale, shtëpiale, bujqësore dhe të minierave është ndërtuar në vitin 1970, ndërsa gjatë kalimit të kohës është dëmtuar.

Pas miratimit të kredisë sëBankës Botërore, Marco Mantovanelli menaxher i kësaj organizate për Kosovë, tha se uji që do të rrjedhë nëpër Ibër-Lepenc do të jetë më cilësor kur të përfundojë projekti.

“Furnizimi i ujit me shumicë përmes kanalit të Ibrit do të jetë më i pastër dhe më i besueshëm dhe kjo do të sjellë përfitime edhe për popullsinë urbane edhe për atë rurale të Kosovës Qendrore,” tha Mantovanelli.

Projekti parashikon edhe forcimin e digës së liqenit të Ujmanit.

“Një komponentë e projektit do të financojë punimet për të vendosur kapacitetin bartës të kanalit të Ibrit, për të mundësuar mbylljen e kanalit për mirëmbajtje, forcimin e sigurisë strukturore të kanalit kundër ngjarjeve ekstreme dhe për të përmirësuar sigurinë e digës së Gazivodës,” sqaron komunikata.

Kredia e Bankës Botërore do të financojë edhe një rezervoar në fshatin Mihaliq.

“Këto punë përfshijnë ndërtimin e një rezervuari në zonën e fshatit Mihaliq, i cili do të mundësojë ndërprerjen e rrjedhjes së kanalit kurdo që ka nevojë për të rehabilituar pjesët e mbyllura të kanalit ose në rastin e ngjarjeve ekstreme, dhe balancimin e kërkesës dhe furnizimit me ujë në horizontin kohor deri në vitin 2035,” thuhet në komunikatë.

Kredia sipas Bankës Botërore ka një interes të ulët që përfshinë mospagesën e tij në pesë vjetët e parë, ndërsa duhet të shlyhet brenda 25 vjetësh.