Banka Botërore, 150 milionë për Tregti dhe Transport në Rajon

Vendet e Ballkanit Perëndimor do të përmirësojnë gjendjen e korridoreve kryesore të transportit dhe do të zgjerojnë tregtinë si rezultat i mbështetjes nga Banka Botërore përmes një projekti të ri. Projekti për lehtësimin e tregtisë dhe transportit  synon përmirësimin e pikave të kalimit kufitar,  efikasitetit të shërbimeve të logjistikës dhe futjen e teknologjisë inteligjente në transportin e mallrave dhe pasagjerëve duke përshpejtuar proceset në pikat doganore.

NDËRLIDHUR

“Qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të përfitojnë nga një kosto më e ulët e transportit dhe zgjerimi i tregtisë si rezultat i projektit prej 150 milionë dollar të Lehtësimit të tregtisë dhe transportit” citohet të ketë thënë Kristalina Georgieva, Drejtore e Përgjithshme Ekzekutive e Bankës Botërore. “Sipas vlerësimit tonë përfitimet pritet të jenë rreth 1 miliard dollar në vit – një kontribut i rëndësishëm ky në kuadrin e përpjekjeve rajonale për të nxitur rritjen ekonomike, shtimin e vendeve të punës dhe krijimin e mundësive për sa më shumë njerëz.”

Georgieva e bëri këtë njoftim në Konferencën për një integrim më të gjerë të vendeve të Ballkanit, organizuar nga Kryeministri bullgar, Boyko Borissov. Konferenca synonte në prezantimin e mënyrave konkrete për të çuar përpara rritjen dhe zhvillimin ekonomik në vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe për përshpejtimin e aspiratave të tyre për futjen në BE.

Në këtë konferencë të nivelit të lartë merrnin pjese Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, Mirko Saroviç, Minister i Tregtisë dhe Marrëdhënieve ekonomike me jashtë për Bosnje Hercegovinën, Hashim Thaçi, President i Republikës së Kosovës, Zoran Zaev, Kryeministër i IRJ të Maqedonisë, Filip Vujanoviç, President i Malit të Zi dhe Ana Brnabiç, Kryeministre e Republikës së Serbisë.

Studimet tregojnë se me ritmin aktual të rritjes do të duhen edhe gjashtë dekada të tjera që niveli i të ardhurave të Ballkanit Perëndimor të kapë nivelin e BE-së. Megjithatë, me kryerjen e reformave të duhura dhe sigurimin e stabilitetit makroekonomik, rritja mesatare vjetore mund të ngjitet tek 5 përqind, duke bërë të mundur barazimin e të ardhurave me ato të BE-së në vetëm dy dekada.

Një rritje më e lartë ekonomike do të kërkonte integrim rajonal më të gjerë dhe përmirësim të klimës së biznesit për të nxitur investime në sektorin privat dhe rritjen e punësimit prej sektorit privat.

Banka Botërore po investon aktualisht për përmirësimin e korridoreve të transportit në të gjithë rajonin e Ballkanit. Ajo po punon për të mbyllur disa boshllëqe në Korridorin 8 në Maqedoni dhe Korridorin 10 në Serbi. Përmirësimet në Korridorin 8 pritet të shkurtojnë kohën e udhëtimit të kamionave nga Sofia në Shkup nga 6 orë në tre ore e gjysmë.

07 Dhjetor 2017 - 15:28

Visar Prebreza 07/12/2017 - 15:28
NDËRVEPRIMI3