Ballkani Provon Paqen me Bashkëpunim të Rinisë

Liderët e Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë të hënën nënshkruan miratimin e krijimit të Zyrës së re Rajonale për Bashkëpunim Rinor – një ide e bazuar në një projekt pajtimi për të sjellë rininë franceze dhe gjermane më pranë, pas Luftës së Dytë Botërore.

“Serbia ishte ndër të parat që e mbështeti këtë ide vitin e kaluar,” tha kryeministri serb Aleksandër Vuçiç për mediat pas ceremonisë së nënshkrimit në Samitin e Ballkanit në Paris.

“Ne ramë dakord që zyra do të ngrihet në Tiranë dhe vendosëm të kontribuojmë me 58 për qind të buxhetit,” tha ai.

Tashmë ka disa nisma ndër-qeveritare midis vendeve të Ballkanit, por kjo është hera e parë që të gjitha qeveritë do të bashkëpunojnë në kuadër të një institucioni që ato e financojnë bashkërisht.

Sipas marrëveshjes, Zyra e Bashkëpunimit Rajonal Rinor do të fokusohet në projektet e lidhura me pesë çështje – nxitjen e bashkëpunimit, rritjen e lëvizshmërisë, mbështetjen e pajtimit, ndërtimin e paqes dhe stabilitetit dhe sigurimin e begatisë për të rinjtë nga i gjithë Ballkani.

“Kjo zyrë do të jetë një nga shtyllat kryesore të stabilitetit në rajon dhe ky është vetëm fillimi. Nëpërmjet dialogut, të rinjtë do të kapërcejnë problemet me të cilat përballemi të gjithë ne tani,” tha ministri serb i rinisë Vanja Udoviçiç për agjencinë e lajmeve Tanjug në Beograd.

Buxheti vjetor i zyrës do të jetë dy milionë euro, gjysma e të cilave do të financohen nga pesë vendet dhe gjysma nga donacionet. Kontributet relative të vendeve do të përcaktohen në bazë të GDP-së dhe popullsisë së tyre.

Ideja për të krijuar fillimisht zyrën erdhi nga OJQ-ja Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut, i cili nisi shkëmbimet rinore midis vendeve të ish-Jugosllavisë menjëherë pas luftërave të viteve 1990.

“Kemi më shumë se një dekadë që e ëndërrojmë këtë”, tha OJQ-ja në faqen e saj në Facebook menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes.

Samiti në Paris ishte pjesë e Procesit të Berlinit, një nismë pesë vjeçare që filloi në vitin 2014 dhe përfshin pesë samite të përvitshme që synojnë të theksojnë angazhimin për zgjerimin e BE-së në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Fokusi i kësaj nisme janë vendet e Ballkanit që nuk janë ende pjesë e BE-së – Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia – me një theks në projektet e infrastrukturës, bashkëpunimin rajonal dhe rininë.