Bajrami: Ta Lëmë Politikën Jashtë Shkollave

Ministri është zotuar se kanë kryer përgatitjet dhe po shpreson që viti të fillojë sipas planit kalendarik.

Në këtë takim, ai ka bërë thirrje që politika të mbahet larg nga shkolla duke iu referuar procesit të rekrutimit të mësimdhënësve dhe drejtorëve të shkollave.

“Unë kërkoj si ministër që çdokush në procesin mësimor, drejtor apo mësimdhënës të zgjidhet vetëm mbi bazën e meritave dhe të shmangim e të largojmë dhe të bëjmë transparent cilëndo përpjekje të ndikimit politik. Është një dukuri e shëmtuar nëse mësimdhënësit apo drejtorët zgjidhen sipas përkatësisë politike, të bëjmë përpjekje që politikën ta lejmë jashtë shkollave dhe jashtë sistemit arsimor,” kërkoi Bajrami.

Monitorimin e përzgjedhjes së kandidatëve për mësimdhënës sivjet është duke e bërë KALLXO.com.

Në konferencën për media, ministri Bajrami tha se ky vit shkollor do të nisë me libra të rishikuar që sipas tij janë pastruar përmbajtësisht nga ekspertët.

“Risia kryesore sivjet do të jenë tekstet shkollore për arsimin parauniversitar nga klasa e parë deri në klasën e nëntë. Pas 10 vjetëve ministria ka bërë një rishikim gjeneral të gjitha teksteve në këto klasa. Sivjet do të kemi 86 tekste të rishikuara,” tha Bajrami.

Ai gjithashtu është zotuar se afati i dytë i Maturës Shtetërore do të përfundojë në përputhje me hapjen e konkursit nëpër universitete.

“Ne jemi koordinuar me universitetet që të gjitha konkurset t’i harmonizojmë me Testin Kombëtar të Maturës, në mënyrë që asnjë maturant të mos pengohet në konkurrim në universitet,” konstatoi ministri.

KALLXO.com do ta monitorojë pjesën e dytë të testit të maturës që zhvillohet të shtunën.