Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami. Foto: Kallxo.com

Bajrami: Studentët të Gatshëm për Sfidat e Tregut Europian

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami mori pjesë në hapjen e Konferencës Ndërkombëtare të Studentëve të Universitetit të Prishtinës (UPISC),

Ky është viti i dytë i kësaj  konference që ka nisur punimet  sot  dhe në të po marrin pjesë studentë nga vende të ndryshme të Europës dhe më gjerë.

Ministri Bajrami vlerësoi këtë ngjarje si zhvillim të të rinjve në këtë periudhë tranzicioni.

“Padyshim se po jetojmë në një proces të globalizimit, ku roli i të rinjve është kyç për zhvillimin demokratik dhe tranzicionin që po kalojmë. Në këtë tranzicion, të rinjtë e kanë rolin kryesor për të treguar aftësitë e veta të ndërmarrësisë, por edhe të lidershipit, në mënyrë që të transformojnë edhe mentalitetin e shoqërive të reja”, tha Bajrami.

Gjithashtu ai duke premtuar mbështetje nga MASHT-i  theksoi se kjo konferencë, e cila po bëhet tradicionale është një mundësi e mirë e shkëmbimit të përvojave të të rinjve.

“Është një mundësi e veçantë për studentët e Kosovës që të tregojnë se janë të përgatitur dhe të gatshëm për sfidën e përfshirjes në tregun europian, ku ata do të konkurrojnë me kompetenca, me shkathtësi dhe me vlerat e tyre”, tha ai.

Konferenca është përkrahur nga Rektorati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, MAShT, Ministria e Kulturës dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Konferenca do të zgjasë nga 2 deri më 7 maj 2017.