Konferenca për rëndësinë e financimit të Arsimit | Foto MASHT

Bajrami: Prioritet Arsimi Fillor dhe ai Profesional

Në një fjalim të gjatë drejtuar të pranishmëve në konferencën “Rëndësia e Financimit të Arsimit në Kosovë”, ministri Arsim Bajrami foli përsëri për nevojën e forcimit të arsimit profesional.

“Në Gjermani mbi 60 për qind e nxënësve shkojnë në shkolla profesionale. Ne jemi duke punuar që ta zhvillojmë arsimin profesional në Kosovë. Ne jemi duke e rritur edhe numrin e shkollave profesionale. Ky ndoshta është një hap i rrezikshëm, mirëpo i domosdoshëm,” tha Bajrami.

Ministri, investimet në arsim i konsideroi shumë të rëndësishme.

“Investimet në arsim dhe shëndetësi janë kapitali më i madh njerëzor i këtij vendi,” tha Bajrami.

Konferenca për rëndësinë e financimit të arsimit u organizua me përkrahjen e organizatës gjermane GIZ dhe Bankës Botërore.

Përfaqësuesja e ambasadës gjermane në Kosovë, Christina Gehlsen, tha që popullata e re në Kosovë është një pasuri e madhe.

“Një arsim i fortë fillor është në gjendje të prodhojë një të ardhme efikase dhe ky është qëllimi jonë i përbashkët me Ministrinë e Arsimit,” tha Gehlsen.

Edhe ministri Bajrami foli për koncentrimin e Ministrisë së Arsimit në përmirësimin e arsimit fillor.

“Tek arsimi fillor jemi duke punuar në implementimin e kurrikulës së re që është e bazuar në mësimdhënie cilësore, tekste cilësore dhe mësimdhënës cilësorë,” tha Bajrami.

Ai paralajmëroi mbyllje të programeve të paqarta universitare.

I kemi mbyllur mbi 100 programe universitare dhe do të vazhdojmë t’i mbyllim nëse ato nuk kanë një plan të saktë strategjik,” tregoi Bajrami.

Ai u ankua se shumica e parave të ministrisë- 81 për qind të buxhetit shkojnë për paga dhe pak mbeten për investime.

Në konferencë ishte paraparë që të merrte pjesë edhe Kryeministri Mustafa, mirëpo ai nuk ishte i pranishëm.

Ministri Bajrami e arsyetoi mungesën e Mustafës, me fjalët se ai e ka anuluar pjesëmarrjen për shkak të disa punëve urgjente që i kanë dalë.

KALLXO.com ka tentuar të marrë përgjigje nga Zyra e Kryeministrit për arsyet e mungesës së Mustafës, por zyrtarë të saj nuk janë përgjigjur.