Dëgjimi publik në lidhje me Ligjin për Konflikt të Interesit | Foto: KALLXO.com

Bajrami: Po Bëjmë Ligje dhe Vetë po i Shkelim

Në dëgjimin e sotëm publik të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit rreth projektligjit për konflikt interesi u propozuan amendamente të reja për t’iu shtuar ligjit të vjetër.

Kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu theksoi se deputetët e LVV-së kanë përpiluar amendament të ri, i cili ligjërisht ua ndalon zyrtarëve të lartë të mbajnë më shumë se një vend pune.

“Ne si deputetë të Lëvizjes (VV) kemi propozuar një amendament që zyrtari i lartë të mos jetë i punësuar diku tjetër përveç detyrës së tij si zyrtar i lartë. Kjo çështje është diskutuar edhe përpara në grupe punuese për çështjet në legjislacion dhe ka pasur një konsensus që kjo duhet të adresohet, madje kemi përpiluar edhe një amendament. Pra kemi kërkuar që kjo çështje të ndalohet me ligj”, tha Haxhiu.

Ndërsa, anëtarja e Komisionit, Valdete Bajrami tha se ende i duket e çuditshme se si zyrtarët arrijnë të përfundojnë disa punë në të njëjtën kohë.

Sipas saj, zyrtarët po shkruajnë ligje por edhe po i shkelin ato.

“Shumica e funksionarëve kanë shumë pozita edhe nuk po e di qysh po munden me ia arrit, me ju dalë në krye gjithë atyre punëve. Mendoj që për me qenë sa më korrekt dhe për me pasë një barazi, është e domosdoshme që ky ligj të dalë sa më parë në Kuvend. Jemi dëshmitarë që po bëjmë ligje edhe vetë po i shkelim, prandaj shpresojmë që ky ligj të jetë i barabartë ndaj të gjitha palëve”, tha Bajrami.

Shaip Makolli, përfaqësues nga Agjencia Kundër Korrupsionit, tha se në këtë agjenci po haset në vështirësi për të zgjidhur raste me konflikt interesi si pasojë e ligjit në fuqi, andaj edhe sipas tij duhet të ketë një zyrë ligjore që trajton këto çështje.

Ndërkohë, Artan Demhasaj nga organizata “Çohu” kërkoi që këtij projektligji t’i bashkohen tri pika, të kategorizohet konflikti i interesit, të konsiderohet vepër penale fshehja apo refuzimi deklarimit të konfliktit të interesit, si dhe të rritet çmimi i gjobës në rast të shkeljes së këtij ligji.

“Propozojmë që të ekzistojë kategorizimi i konfliktit të interesit karshi pozitave të zyrtarëve të lartë(të mos vlejë njëjtë për të gjithë). Fshehjen e konfliktit të interesit ose refuzimin e zyrtarit për deklarim, mendoj që kjo duhet të konsiderohet vepër penale. Si dhe të sanksionohen me gjoba shumë më të larta sepse masat e gjobave janë shumë të ulëta. Nëse ligji kalon pa këto tre parime kryesore nuk do të mund të kryejë punën e tij”, tha Demhasaj.

Kurse, zyrtari ligjor nga OSBE-ja, Rinor Hoxha kërkoi që në deklarimin e konfliktit të interesit të përfshihen edhe deputetët edhe anëtarët e asambleve komunale.

Sami Kurteshi, anëtar i Lëvizjes “Vetëvendosje” theksoi se projektligjit duhet t’i shtohet edhe përcaktimi i kohës, që nënkupton se një zyrtar nuk do të mund të kryejë punë që nuk i përkasin institucionit në të cilin punon.

“Diçka që vërejta në krejt tekstin sa arrita ta lexoj, mungon përcaktimi i kategorisë kohë. Përcaktimi i kategorisë kohë do të thotë brenda një orari të punës një person mund ta kryejë një vepër penale, ose një vepër të kundërvajtjes. Kjo do të thotë prej zyrës së vet në orar të punës me mjetet e institucionit gjatë orarit të punës të kryejë punë që nuk përkasin me vendin e punës”, shtoi Kurteshi.

Mes tjerash kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit theksoi se pavarësisht ftesës për pjesëmarrje Ministrja e Drejtësisë në Kosovë,  Dhurata Hoxha asnjëherë nuk është e pranishme.

Anëtarët e tjerë të këtij komisioni mbështetën projektligjin duke thënë se ky projektligj është më i avancuar sesa ligji në fuqi. Si dhe u kërkua që deri me 18 prill të dërgohen komentet në lidhje me projektligjin në fjalë.