Ministri Arsim Bajrami uron nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollës "Iliria" në Prishtinë për fillimin e gjysnmëvjetorit të dytë - Foto: KALLXO.com

Bajrami: Ngritja e Pagave Arrihet me Ngritjen e Cilësisë në Arsim

Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, i ka cilësuar “paksa të ngutshme” deklaratat e zyrtarëve të SBAShK-ut, të cilët kanë paralajmëruar grevë në sektorin e arsimit nëse Qeveria nuk e tërheq projektligjin që synon të rregullojë çështjen e pagave.

Ministri Bajrami tha se Ministria e Arsimit do të këmbëngulë në ngritjen e pagave por në proporcion me ngritjen e cilësisë në arsim.

“Për sistemin arsimor ligji do të diskutohet akoma brenda Qeverisë dhe Ministria e Arsimit do të jetë këmbëngulëse në faktin që pagat e mësimdhënësve duhet të ngriten dhe jo të zvogëlohen, por të ngriten në proporcion me ngritjen e cilësisë”, tha ministri.

Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBAShK) para disa ditëve kishte paralajmëruar grevë në sistemin e arsimit nëse Qeveria nuk tërheq një projektligj me të cilin synon ta rregullojë çështjen e pagave.

http://kallxo.com/arsimtaret-ne-greve-nese-nuk-terhiqet-projektligji-per-pagat/

Por, ministri Bajrami këto deklarata i cilësoi si të parakohshme pasi tha se mësimdhënësit do të përfaqësohen drejtë nga Ministria e Arsimit dhe se kjo ministri nuk do të lejojë degradimin e shpërblimit të tyre për punën që bëjnë.

“Mendoj se janë pak të parakohshme deklaratat e SBAShKU-t sepse ligji akoma nuk është përfunduar dhe në mbledhjen kur është miratuar ligji unë kam dhënë vërejtjet e mia si ministër dhe kam thënë që ky ligj nuk është i zbatueshëm. Ministria e Arsimit do të përfaqësojë në mënyrë të dinjitetshme kërkesat e tyre dhe nuk do të lejojë asnjë degradim të procesit të shpërblimit të mësimdhënësve”, tha Arsim Bajrami.

Bajrami gjithashtu paralajmëroi se këtë vit do të mbahet konferenca kombëtare mes Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit, e cila do të sigurojë një fond për ngritjen e cilësisë në sistemin arsimor.

Redaktoi: Naser Sertolli