Bajrami: Në Vitin 2016 Cilësia në Arsim Realitet

Bajrami me rastin e fillimit të gjysmëvjetorit të dytë vizitoi Shkollën Fillore “Dardania”, ndërsa u zotua se viti në të cilin hymë do të jetë vit i promovimit të cilësisë në arsim.

Sipas Bajramit është miratuar Strategjia Kombëtare për Sigurimin e Cilësisë, ndërsa puna e mësimdhënësve do të ndiqet dhe vlerësohet.

“Kemi vendos edhe parimin e llogaridhënies, sepse jemi duke ndërtuar sistemin e ndërtimit të performancës. Secili mësimdhënës do të përcillet nga metodologjia e mësimdhënies, do të vendosim një sistem transparent ku do të shihet se cila është shkolla më e mirë dhe mësimdhënësi më i mirë. Jemi koordinuar me Komunën e Prishtinës,” tha Bajrami.

Ndjekjen e vazhdueshme të punës së mësimdhënësve, ministri Bajrami e ka përmendur vazhdimisht gjatë 2015-ës.

http://kallxo.com/40-mije-mesimdhenesve-do-tu-vleresohet-puna/

Sipas tij më cilësia nuk duhet të shihet si deklaratë politike, por realitet.

Ministri tha se do të fillojë edhe digjitalizimi i ditarëve, ndërsa do të reduktohet numri i librave dhe shkollat do të ofrojnë mundësi që fëmijët t’i lënë librat aty.

Drejtorja e Drejtorisë së Arsimit në komunën e Prishtinës Arbërie Nagavci tha se ka filluar aktiviteti i ngushtë me prindërit dhe se shumë aktivitete po bëhen së bashku me mësimdhënës dhe nxënës.

“Unë besoj që secili prej mësimdhënësve të komunës së Prishtinës do të japë maksimumin e vet për të pasur një mësimdhënie dhe mësimnxënie cilësore,” tha Nagavci.

Drejtori i shkollës “Dardania”, Isak Bregaj tha se kjo shkollë ka pajisjet më të sofistikuara falë donacioneve dhe institucioneve të vendit.

“Kemi kabinetin e kimisë, të biologjisë, kemi donacion nga ambasada norvegjeze kabinetin e matematikës. Sivjet jemi pajisur edhe me kamera dhe me të vërtetë i kemi të gjitha mjetet për që do të zhvillojnë ngritjen e mësimdhënies dhe mësimnxënies” tha Bregaj.